Rregullatori antimonopol gjerman këtë vit do të marrë hapat e parë në hetimin kundër Facebook, pasi është konfirmuar se ky rrjet social ka abuzuar me pozitën dominuese në treg, duke mbledhur informacion në lidhje me përdoruesit pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.

Zyra gjermane për mbrojtjen e konkurrencës së tregut (FCO) në veçanti ka vërejtje në mënyrën përmes së cilës Facebook vjen te të dhënat e njerëzve që përdorin aplikacionet e tjera, përfshirë WhatsApp dhe Instagram, transmeton KosovaPress.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kjo duhet të shkojë shpejt,” tha presidenti i FCO-së Andreas Munt, duke shtuar se ai shpreson se këtë vit do të merren “hapat e parë”.

Pritet që hetimi gjerman nuk do të përfundojë me gjoba për Facebook, në krahasim me hetimin në pjesën tjetër të Evropës kundër Google, e cila përfundoi me gjoba në shumën disa miliardë dollarë.