Legjenda e futbollit francez, Thierry Henry, pritet ta refuzojë ofertën e klubit francez, Bordeaux, për të marrë pozitën e trajnerit në këtë klub, raporton Sky Sports.

Henry është i shqetësuar sa i përket buxhetit dhe paqartësisë në pronësinë e klubit të Ligue 1. Drejtuesit e klubit tani janë duke e negociuar mundësinë e shitjes së klubit për kompaninë nga Miami, General American Capital Partners (GACP), përcjell Gazeta Express.

Klubi franez e kanë shkarkuar nga pozita e trajnerit Gus Poyetin këtë verë, pasi që ai e quajti, publikisht, klubin si të turpshëm, pasi që ata e kishin shitur sulmuesin Gaetan Laborde në Montpellier pa dijeninë e tij.

Klubi e kanë shitur këtë afat kalimtar edhe yllin e skuadrës, Malcolmin, në Barcelonë për 41 milionë euro dhe Henry beson se klubi nuk mund ta sigurojnë se do të bëjnë investime për skuadrën e parë në të ardhmen.

Mirëpo, as klubi e as Henry nuk i kanë konfirmuar bisedimet mes tyre, por tani duket se Henry nuk do ta fillojë karrierën e tij si trajner në Bordeaux.

Henry e kishte lënë punën e tij si analist në Sky Sports këtë verë për t’u përqendruar në karrierën e tij trajner. Në fillim të verës thuhej se ai do ta marrë pozitën e trajnerit në Aston Villa. Gjithashtu, ai ka qenë duke punuar si ndihmës i trajnerit të Kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez, që nga viti 2016, duke i ndihmuar Kombëtares ta marrë pozitën e tretë në Kupën e Botës.