Me fjalën hyrëse të akuzuarit Toni Jakimovski dhe avokatit të tij Jordan Apostollski ka përfunduar seanca e sotme për lëndën “Target- Fortesa” të PSP-së.

Gjykimi do të vazhdojë më 13 shtator kur dhe Gjykata e Apelit duhet të sjell vendim nëse do ta ndajë procedurën për të akuzuarin Goran Grujovski i cili është në arrati, ndërsa Trupi gjykues duhet të sjell vendim për kërkesën e PSP-së që përsëri të ribashkojë procedurën për të akuzuarën Gordana Jankullovska.

Jakimovski u deklarua i pafajshëm për veprat për të cilat ngarkohet duke thënë se nuk ka pasur qëllim apo vullnet se kryen vepër penale dhe se me profesionalitet të lartë ka vepruar në vendin e punës.

Avokati i tij, Jordan Apostollski ka thënë se Jakimovski as ka shkatërruar pajisje, e as që ka marrë pjesë në çfarëdo veprimi për shkatërrimin e pajisjes, por vetëm ka propozuar të formohet komision për regjistrim të pajisjes e cila ka qenë e vjetruar.

I akuzuari Trajçe Pelivanov nga PSP, madje kërkoi që të revokohet vendimi i mëparshëm për veçimin e procedurës për Gordana Jankullovskën dhe përsëri të bashkohet procedura, sepse Jankullovska tashmë po paraqitet në seanca tjera dhe është ndërprerë shkaku për të cilin ishte veçuar procedura.

Para kësaj, edhe të akuzuarit Sasho Mijallkov, Nadica Nikoliq, Vlladimir Varellov, Marjan Shumulikovski, Slivana Zllatkova, Vasil Isakoski dhe Valentina Simonovska janë deklaruar se nuk ndjejnë faj për veprat të cilat ngarkohen.
Prokurorja Lençe Ristovska tha se PSP-ja siguroi një numër të madh të materialeve dhe rrëfimeve të dëshmitarëve të cilët e zgjedhin dilemën se kush, në çfarë mënyre me cilat mjete dhe motive e kishte realizuar përgjimin joligjor. Do të vërtetojnë se është bërë vepër penale shoqërim kriminal dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Në këtë lëndë të akuzuar janë ish kryeshefi i Drejtorisë së pestë në MPB Goran Grujevski dhe i punësuari në DSK Nikolla Boshkoski, të cilët janë në arrati në Greqi, ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov, si dhe ish shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimovski.

Hetimi për lëndën “Fortesa” ishte hapur më 29 mars të vitit 2016, ndërsa për lëndën “Target” më 17 nëntor të vitit 2016, ndërsa për shkak të lidhshmërisë së tyre janë bashkuar në një lëndë. Akuza është ngritur më 30 qershor të vitit 2017.

Sipas aktpadisë, përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DZK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë joligjore ishin përgjuar 4.286 numra telefonikë për të cilat aspak nuk është dhënë urdhër gjyqësor. Komunikimi ishte përgjuar para se të jepeshin dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë të vendimeve gjyqësore të 1.451 numrave ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.