Shefi i të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka dhënë detaje për vizitën që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet ta realizojë me 8 dhe 9 shtator në veriun e Mitrovicës, transmeton Gazeta Express.

“Vuçiq do të paraqesë disa nga pikëpamjet më të rëndësishme për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe vizionin për zgjidhjen e kësaj çështjeje të rëndësishme”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka treguar se presidenti serb do të vizitojë të gjitha lagjet në veri të Kosovës, por edhe disa qytetarë në jug të Ibrit.

“Vuçiq do të bisedojë me qytetarët e Zubin Potokut, Zveçanit, do ta vizitojë edhe jugun, edhe në disa vende ku nuk ka serbë”, ka shtuar Gjuriq, raporton mediumi serb ‘Telegraf’, transmeton Gazeta Express.

Në këtë vizitë, Gjuriq thotë se presidenti serb do ta shohë personalisht mënyrën e jetesës së serbëve dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen, dhe gjithashtu do të japë një mesazh solidariteti dhe inkurajimi për institucionet.

Kjo vizitë e presidentit serb në Mitrovicë, do të vijë pas takimit të datës 7 shtator në Bruksel ndërmjet tij dhe presidentit Thaçi në të cilin pritet të arrihet një marrëveshje ndërmjet dy vendeve.