Se kush mori pjesë në luftën e fundit e kush jo vazhdon të mbetet ende e paqartë.

Megjithatë, nga buxheti i shtetit po vazhdojnë të paguhen plot 37.771 persona, emrat e të cilëve nuk janë publik.

Sidoqoftë, për vërtetimin e këtij numri të veteranëve që paguhen nga shteti, dikur ishte krijuar një komision i veçantë.

Këta të fundit, janë edhe personat që u hetuan nga ish-prokurori special Elez Blakaj.
Në vitin 2015-të, pasi që komisioni në krye me Agim Çekun ishte formuar, kishte filluar edhe dorëzimi i aplikacioneve.

E nga korriku i atij viti u shpërndanë edhe vendime e certifikata.

Veteranët që fituan atë vit statusin, u ndanë nëpër zona të luftës, e emrat e tyre nëpër brigada.

Por, një listë e plotë në faqen zyrtare të Komisionit që funksionon në kuadër të qeverisë qëndroi aty vetëm për 30 ditë.

Kjo, duke u thirrur në Ligjin për veteranët e UCK-së, të miratuar në Kuvend.

Ligji për veteranët e UCK-së
Pas mbledhjes së aplikacioneve, të personave që kanë aplikuar për përfitimin e statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komisioni shqyrton aplikacionet dhe përpilon Listat fillestare të personave sipas kategorive përkatëse. 2. Komisioni bën publike Listat fillestare sipas kategorive përkatëse. 5 3. Listat fillestare mbesin publike tridhjetë (30) ditë dhe publikohen në ueb faqen e ZÇKL-së dhe në së paku dy nga mediat si dhe në të gjitha degët e OVL-së, SHFD dhe SHIL.

Të njëjtin e tha për Frontal, drejtori i atëhershëm i Zyrës për Çështjet e kategorive të dala nga Lufta, në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu.

Në vitin 2015-të janë publikuar listat preliminare, mirëpo, ato kanë qëndruar në publik vetëm për një muaj, edhe pas një muaji janë hequr. Kjo ishte bërë me kërkesë të komisionit.

Por, Fazliu nuk bëri të qartë asgjë rreth gabimeve eventuale që mund të jenë bërë në brigada e Zona.

Rrjedhimisht nuk u shpjegua se pse nuk figuron në mes të tjerave askund brigada Hasan Prishtina.

Në faqen zyrtare, opinioni mund të ketë qasje vetëm në personat që kanë statusin e dëshmorit nga Shtabi i Përgjithshëm.

Si dhe te 33 personat që kanë statusin e veteranit dhe invalidit nga Shtabi i Përgjithshëm.

Momentalisht online mund të gjenden vetëm disa lista me shumë pak emra sa totali i përgjithshëm.