Në zonën zhvillimore teknologjike-industriale, Bunarxhik 1 do të fillojë me punë fabrika “Çagataj Kabllo” e cila do të prodhojë kabllo për industrinë automobilistike të destinuara  para së gjithash për autobusët e “Van Hol”.

Gur-themeli  i kësaj fabrike ishte vendosur në shtator të vitit të kaluar. Në janar të këtij viti Qeveria mori vendim për dhënien e pajtueshmërisë për marrëveshjen për ndarjen e ndihmës shtetërore në formë të lehtësimeve doganore të kësaj kompanie turke, duke sqaruar se vendimi është në pajtueshmëri me Ligjin për ZZHTI dhe masat nga “Plani për rritje ekonomike” të cilat ishin promovuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Vlera maksimale e ndihmës shtetërore të marrëveshjes është paraparë që të jetë deri në 50 për qind nga vlera e investimit dhe është në pajtueshmëri me rregulloret ligjore të Republikës së Maqedonisë dhe me respektimin e rregullativës evropiane për transparencë në ndarjen e ndihmës shtetërore.

Bëhet fjalë për investim në vlerë prej 3,5 milionë eurosh i cili deri në vitin 2020 është paraparë të krijojë së paku 60 vende të reja të punës.

Në fillim të prodhimtarisë së fabrikës “Çagataj Kabllo” do të marrin pjesë kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, drejtori i ZZHTI Aleksandër Mlladenovski dhe pronari i kompanisë, Ahmet Korogllu.