Lideri i opozitës në Rusi, Alexei Navalny është dënuar nga një gjykatë në Moskë me 30 ditë burg, për thyerje të ligjit të protestave, për një tubim që ishte mbajtur më 28 janar në kryeqytetin rus.

Navalny u arrestua mbrëmjen e të shtunës në shtëpinë e tij dhe sot iu komunikua vendimi se ka udhëhequr një protestë të paautorizuar, ku kërkoi bojkot të zgjedhjeve të manipuluara presidenciale.

Ky dënim ndaj liderit të opozitës vjen vetëm pak ditë para 9 Shtatorit, ku Navalny ka bërë thirrje për një vale të gjerë protestash, kundër reformës së pensioneve, që po përgatit Rusia.

Shteti rus ka kërkuar vazhdimisht që protestat të jenë të organizuara dhe me lejë, por në shumicën e rasteve ka refuzuar të autorizojë zhvillimin e tubimeve, pas kërkesave zyrtare të opozitës.

Vetë Navalny e cilëson këtë dënim të tij tërësisht politik, për të minimizuar pjesëmarrjen në protestat e 9 Shtatorit, ndërsa theksoi se nuk do të heqë dorë kurrë nga protestat në rrugët e Moskës, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.