Më 30 shtator qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e cila do ta formojë të ardhmen e vendit tuaj dhe kjo zgjedhje do të ketë pasoja për gjeneratat e ardhshme. U bëj thirrje ta shfrytëzoni të drejtën tuaj demokratike dhe të votoni në referendumin në vijim.

Këtë sot e deklaroi drejtori i Drejtorisë për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore të Komisionit Evropian Kristian Danielson në hapjen e serisë së dialogjeve me qytetarët “Paramendo të ardhmen së bashku”.

Ai dërgoi urime deri te kryeministri dhe deri te institucionet e Maqedonisë  për arritjen e Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit që, sipas tij, e hap rrugën e vendit drejt Evropës.

Në lidhje me fillimin e fushatës së sotme të Delegacionit të KE-së në Maqedoni, Danielson tha se qytetarët janë në thelbin e kësaj ideje, por, siç tha, vetë barrën që të zbatohen këto dialogje të vërteta e kanë komunat të cilat duhet të sigurojnë kushtet e vërteta duke u ballafaquar me problemet reale të qytetarëve.

Kryeministri Zoran Zaev në fillimin  e  fushatës tha se kjo nuk është fushata e parë por as e fundit e BE-së në vend dhe është njëra nga seria e fushatave me të cilën miqtë dhe partnerët tanë evropianë na përkujtojnë se kemi të tashme të përbashkët të cilën e ndërtojmë tashmë dy dekada në rrugën e anëtarësimit tonë të plotë në BE.

“Republika e Maqedonisë e bëri zgjedhjen. Zgjodhi të ardhmen në vend të izolimit të pasigurt dhe të pakuptimtë. Për herë të parë në historinë e saj Maqedonia u ul në tavolinë si partner i barabartë që të negociojë dhe të vendosë për të ardhmen e saj. Kjo deri më tani nuk kishte ndodhur. Për të ardhmen e saj vendosej pa praninë e saj. Ne thamë jo, për ne dhe për të ardhmen tonë do të bisedoni me ne”, tha Zaev.

Ai theksoi se përkundër kërcënimeve shfaqën guxim, dinjitet dhe qëndrim politik dhe se pranimet pastaj erdhën edhe si datë për negociata dhe si ftesë për procesin e përfunduar për anëtarësim drejt NATO-s.

Zaev përkujtoi se si fond për fondin para integrimit nga viti 2007 deri në vitin 2020 ndihma e përgjithshme vjetore nga BE-ja për Maqedoninë është mbi 90 milionë euro.

Këto janë 260.000 euro për një ditë, 15,5 milionë euro brenda vitit hynë për Maqedoninë përmes programit të BE-së për transport, qytetarët e BE-së ndajnë 8,5 milionë euro para evropiane për mbrojtje të kufijve të Maqedonisë për vitin 2018 për sigurinë tonë. Pesëmbëdhjetë milionë euro para evropiane janë planifikuar për bujqësi për vitin 2019, përderisa 18 milionë euro në vitin 2020 për reforma në  gjyqësi dhe në polici. Zaev shtoi se në referendumin në vijim do të bëhet hapi i fundit që të përfundojë ndërtimi i vendit sipas rregullave evropiane dhe më 30 shtator qytetarët t’i bashkojë maturia.

Euroambasadori në vend Samuel Zhbogar tha se përmes fondeve të BE-së në 20 vitet e kaluara janë sjellë një milion euro para evropiane përmes projekteve të cilat gjeneruan rezultate të mëdha.

“BE-ja punon si partner që të përmirësohet jeta e të gjithë qytetarëve. Përmes këtyre aktiviteteve secili qytetar mund të japë kontributin e tij në ndryshimin që dëshiron ta shohë në komunën e tij. Do t’iu dëshmojmë qytetarëve se zëri i tyre vlerësohet si i rëndësishëm.  Qëllimi ynë është që të dëgjojmë dhe të kuptojmë”, tha Zhbogar në fillimin e fushatës së BE-së – dialogje me qytetarët.