Nga Fadil LUSHI

Kam thënë një mijë e një herë se pa “haxhi babën” nuk ka shkrime “serioze” dhe sarkastike! Dhe ky, para se të takohej me mejhanexhiun e tij të preferuar, më rrëfeu dy mesele të vjetra, një të re paksa të koklavitur dhe të vërtetë! Këto ngjarje që m’i tregoi me gojë kanë të bëjnë me historinë e çifligarëve të cilët (ca të tillë, edhe sot), në vaktin kur sundonin, silleshin me vrazhdësi e me përbuzje ndaj njerëzve të thjeshtë dhe fukarenj. Ma shpjegoi edhe meselenë e një nipi i cili kishte shkuar te dajallarët të kërkojë një qengj. Dhe dajallarët ia kishin plotësuar dëshirën. Por ama, “nipi axhami” kishte harruar të kërkojë edhe një zile që do t’i shkonte tamam për qafe qengjit. Një zile të tillë e kishte blerë në pazarin e evgjitëve…, por ama ishte zhgënjyer këmbë e krye, sepse qengji nuk ishte për atë zile!?…, njësoj sikundër që kryeprotagonistët e kësaj “shkarravine” nuk meritojnë vëmendjen time prej një publicisti të rëndomtë!

Meseleja e parë!

Dikur moti një kryeçifligar i ri, që kishte trashëguar gjithë pronën e gjyshit dhe babait të tij (dhe jo thesarin e mendjes së tyre), kishte vizituar një nahije mbi të cilën ushtronte pushtet të egër. Ky kryepari i çifligarëve nga shehri kishte vënë bythën në kryeminderin e kuvendit të burrave të katundit. Pa një pa dy, ende pa u “akomoduar” njerëzit e nëpërkëmbur dhe të thjeshtë, ftoi që pranë t’i afrohej çuni që ishte caktuar të bënte ca punë shërbyese: “Ore, pa eja këtu! Më thuaj, a dëgjon gjë ç’thonë për mua këta dështa-kët, këta skamnorët, këta kopukët e katundit tënd…, di gjë pse këta e mbanë gojën mbyllur, pse duken kaq të dalldisur e të heshtur? A mos vallë u janë fundosur vaporët?!” Dhe çuni ia ktheu: “Ehe, këta e dinë fare mirë që ti sot do t’ua ngulësh haraçin e ri për tokën, arat, livadhet, vreshtat, bagëtinë, e të tjera. Këta e dinë fare mirë që ti sot do t’ua ngulësh edhe ca premtime boshe! Këta nuk heshtin, po përkundrazi bëjnë duanë që ty të të bjerë damllaja!” Ky kryepari, kështu si kishte filluar ta bëjë kuvendin me të “ngulme dhe me të shkulme”, të krijonte përshtypjen se s’kishte lënë njeri pa ja futur… dhe kjo dukej “ashiqare”. Por ama kryeçifligari nuk e kishte mendjen te detyrimet që duhej të paguanin katundarët, përkundrazi ai kishte ra në hall me hanëmen e tij, sepse ajo në vazhdimësi i kërkonte t’i blejë një pajton dhe një kalë të tredhur, njësoj si të sulltanit! E gjithë kjo kërkesë e kishte futur në siklet të madh. Nuk kishte haber se si do ta zgjidhte këtë punë. Kishte vendosur që këtë çështje ta kuvendonte me qehajain e tij. Mandej të shkonin në treg për të bërë pazarin e pajtonit dhe të kalit. Pasi kishin blerë pajtonin, kishin marrë udhë për në çifligun e tij. Por, çifligari i ri gjatë rrugëtimit e kishte mbyllur gojën! Qehajai qe detyruar që ta thyente heshtjen e tij prej varri… Ndërkohë i parashtron pyetjen: “Efendi, pse gjithë kjo heshtjerëndë juaja?!” Ai ia kishte kthyer: “Nuk kam dertin që harxhova shumë para për pajtonin, po përkundrazi, më ha meraku se a e kemi bërë me tamam këtë allishverish prej akshami dhe kjo hanëmja ime a do ta dallojë kalin e dëkuar prej mushkës xanxare dhe, kur ky haber do të shkoj në vesh të nënës sulltaneshë, a mos vallë ajo nuk do të shkallohet nga mendtë e saj!”

Se ç’kishte ndodhur me atë pronar të madh tokash, me hanëmen e tij budallaqe, me qehajain, me kalin dhe me pajtonin si të sulltanit, nuk kuptova gjë. Qesh i detyruar ta pres “haxhi babën” për t’i kërkuar shpjegime shtesë se cili qe fundi i kësaj meseleje! Teksa unë isha duke humbur durimin, kur hop atypari u duk “haxhi baba”, i tëri i shndërruar në “dërrasë dyshemeje!” I thash si me inat: Ore, ç’u bë me përfundimin e kësaj vakie? Ma ktheu: “Ehe, unë nuk mbaj mend sesi i bëra paratë rrush e kumbulla… Një gjë e di, çifligari axhami është dashur të blejë mend…, për hanëmen e tij fodulle mushkën xanxare, por jo  kalin e tredhur që nuk është as për çifligun, as për mirëmbajtësin e ahurit, as për zilen dyjare, as për pajtonin, e lëre më për krahinën ku kishte vënë dorë ky çifligar i pasur!”… Dhe, haxhi baba pa një pa dy, ashtu padrejtësisht, mejhanexhiut ia shau banakun, halenë, pjatat dhe filxhanët e palarë…, madje në fund të gjithë myshterinjtë e tij, të cilët para se të bëhen tapë, u hedhin brezin e fundit gotave të rakisë. Kur unë pritja të përfundonte me shpjegimin…, ai papritmas më propozoi që t’i bëjmë një xhiro mejhanes! I thashë: Ore, mua më duhet ta mbyll paragrafin e meselesë së parë, e jo t’ia vë çelësin pijetores! “Mos ki dert! Do përfundosh të parën dhe, para se të thyesh qafën, do ta bësh të dytën dhe të tretën!”

Meseleja e dytë!
Në kohën e Ahmet Zogut… një çun i një kulaku kishte vendosur që nuses së vet t’i blinte një araba njësoj si të Ismail bej Qemalit. Ky farë çuni, pasi e kishte bërë pagesën, bashkë me mikun e tij kishin marrë udhë për në çifligun e nahijes së babait të tij. Gjatë gjithë rrugës nuk kishte thënë asnjë fjalë. Miku që e shoqëronte fillon të mërzitet për këtë heshtjen e tij! I kishte parashtruar pyetjen: “Hë, më qafsh miku…, hape gojën…, ç’pate, ç’i paske dhënë surratit gjithë këtë hije trishtimi, thuaj një llaf…, shih arabanë sa të bukur e ke e sa me çmim të lartë e ke…, po ç’ke ore…, në ke ndonjë hall, ma thuaj mua, e mandej bashkë e flakim a e shfryjmë!?” Dhe çuni ia ktheu: “Nuk jam i sikletosur as për lekët e as për madhësinë e arabasë…, po kam dertin se kjo nusja ime, që sabah e aksham më duket si budallaqe dhe nazelie, a hiç nuk ndërgjegjësohet se nuk e meriton arabanë njësoj si të Ismailit, a mos vallë nuk do kërkojë edhe fenerin edhe xhupin e arabaxhiut të mendjendriturit vlonjat…, a mos vallë do të kërkojë edhe kalin e bardhë, me atë zilen triare, a mos vallë, kjo nusja ime, nuk do të kërkojë që unë t’i përngjaj vlonjatit, si në fiqir, si në të folme, njashtu edhe në vendimmarrje prej diplomati, a mos vallë, kjo nusja ime, nuk kujton se kjo araba tok me kalin dhe arabaxhiun, nuk është për atë zile, për mua dhe në fund edhe për fisin tonë prej kulakësh!”… kishte përfunduar përgjigjen çuni.

Meseleja e tretë, e koklavitur!

Sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk ka njeri që do të blejë një pajton si të Padishahut dhe nënës sulltaneshë! Nuk ka më njeri që do të përpiqet ta blejë arabanë njësoj si të beut nga Vlora. “Çifligarët e rinj” do të blejnë identitete të paqena a të rreme…, ata do të marrin helikopterin me qira, që çunit të tyre t’ia sjellin nusen në katundin që vuan mungesën e ujit…, “çifligarët e moderuar”, gjithë ditën e Perëndisë, do të bëjnë moralistin e mërzitshëm dhe të dështuar në kërkim të vlerave të sajuara…, “çifligarët allafrënga”, për arsimimin e fëmijëve të tyre do të kërkojnë mësuesin më të mirë, njësoj si dikur Filipi II dhe Olimpia nga Epiri, përndryshe prindërit e Aleksandrit të Madh kishin angazhuar Aristotelin që këtij sundimtari me përmasa botërore t’i jepte dijen dhe kulturën mbi qytetërimet e vjetra…, këta “çifligarët paksa oksidentalë” do të përpiqen të gjejnë mësuesin namusqar, të ditur, të pashëm e me prejardhje aristokrate, sovran, të ri, autoritar…, mundësisht të jetë shehërli…, pa marrë parasysh se çunat dhe çupëlinat e tyre nuk janë për këtë mësues që karakterizohet me veçori thelbësore a tipare dalluese…, këta “çifligarët me mentalitet provincialisti” dhe pse jo edhe “mikroborgjezi”, për t’i arsimuar fëmijët e tyre do të bëjnë kërkime për të gjetur a për të zbuluar vendndodhjen e shkollave dhe universiteteve më prestigjioze…, këta “çifligarët e vonuar” do të bëjnë dasmën më të madhe që nuk e mban mend krahina jonë e zhvilluar, e prapambetur a e pazhvilluar.., quajeni si të doni…, sepse nuk keni asnjë detyrim ndaj gjuhës dhe vlerës konvencionale…, këta “çifligarët e rinj”, që trumbetojnë moralistin e mërzitshëm, një gjë duhet ta kenë në dijeni se (ndoshta) pikëpamjet a mendimi ndryshe i tyre, nuk do të thotë se janë për atë zilen dyjare a triare të atij nipi…, siç nuk është ky vështrim për zërin e arsyes së lexuesit tim të çmuar dhe të respektuar! Miku im i nderuar dhe ju lexuesit tanë të paanshëm! Në këtë shkrim gazete përjashtohet çfarëdo përngjasimi a paralelizmi me burra, gra e “çifligarë të moderuar”. Ndaj larg qofshin e ruana Zot nga të tillët që mund t’u lajthitë mendja e të na paragjykojnë ose padrejtësisht edhe të na përgojojnë!

 

Loading...