Agjenti i Elseid Hysajt, Mario Giufreddi, e ka konfirmuar se klienti i tij do të fillojë bisedimet me Napolin për të rinovuar kontratën e tij me klubin.

Shqiptari Hysaj ishe afër transferimit në Chelsea gjatë këtij afati kalimtar, pasi që ish-trajneri i tij, Maurizio Sarri, e morri detyrën e trajnerit në klubin londinez. Megjithatë, ai vendosi të qëndrojë në Napoli, transmeton Gazeta Express.

Këtë sezon, Hysaj do të luajë për trajnerin e ri të Napolit, Carlo Ancelotti, dhe agjenti i tij, Giufreddi, mendon se mbrojtësi shqiptar do ta ketë sezonin më të mirë të tij deri tani këtë vit.

“Hysaj? Ai do të jetë më i mirë se gjatë sezoneve të kaluara. Synimi i tij parësor ka qenë në repartin e mbrojtës, por tani ai do të duhet të mendojë edhe për repartin e sulmit për shkak të taktikave të Ancelottit”, ka thënë Giufreddi.

“Në dy ndeshjet e para të Napolit, ai e bëri një asist dhe për pak sa nuk shënoi një gol. Dështimi i transferimit në Chelsea? Hysaj është i lumtur që ka qëndruar. Ai është shumë i lumtur që do të trajnohet nga Ancelotti, ai është i mençur dhe e di se mund të përmirësohet me Ancelottin”.

“Gjatë javëve të ardhshme, ne do të diskutojmë me Napolin për një kontratë të re. Kjo gjë është edhe në interesin e klubit. Hysaj ka lindur në vitin 1994 dhe është një ndër më të mirët në Evropë. Kemi biseduar me Napolit edhe më parë në qytetin e Dimaros dhe e kemi lënë që të takohemi përsëri në shtator”