Shkruan Abaz Islami

(Rreth intervistës së Afrim Tahirit, ish-sekretar i përgjithshëm i BFI-së, me titull “E vërteta është shpirti i drejtësisë”, të botuar në shumë media elektronike të vendit.)

Dje, opinioni i gjërë ka lexuar një intervistë të mrekullueshme, me shumë optimizëm, intervistë që përçonte një mesazh: luftimi i së keqes kërkon sakrificë dhe durim të çeliktë!

Tre vjet më parë, ne, një grup shokësh, e nisëm luftën kundër të keqes së përgjithshme, fetare e kombëtare, që emrin e kishte Sulejman Rexhepi. Isha ndër ata shokë që e kisha shumë të qartë se po marrim një rrugëtim të gjatë, me shumë sfida, madje me shumë rreziqe, kërcënime e humbje materiale, por që ishim shumë të bindur se në fund do të dalim fitimtarë. Ishte pikërisht Afrim Tahiri ai që na mbante me shpresë, që na mbante me optimizëm, ishte tim lider i pakonkurrencë.

Ky grup shokësh ishim shumë të rehatuar në “lluksin” e BFI-së së Sulejman Rexhepit dhe, sa i përket interesave personale, do të ishte shumë mirë që ta vazhdonim atë rehatllëk dhe mos të çanim kokë për asgjë. Por, amaneti që e kishim mbi supe, si predikues të paisur me mësime të gjëra islame, nuk na linte të ishim aq hipokritë dhe të vazhdonim edhe më tej me Sulejman Rexhepin, i cili, dita ditës po shndërrohej në një i babëzitur të pashoq në mesin e myslimanëve të vendit. Jo vetëm kjo, babëzitja e tij po e rrezikonte funksionimin e Institucionit, të organeve dhe të enteve edukativo-arsimore të tij, prandaj, me të drejtë kishim konstatuar se koha është tani që t’i thuhet stop!

Ne, fare mirë kemi mundur që të dalim nga Institucioni dhe të rrimë si macja nën sofër, pa bërë zë, si shumë të revoltuar dhe të pakënaqur të tjerë të mëhershëm dhe, çdo gjë të shkonte ashtu siç e planifikonte Sulejman Rexhepi me hajnat e tij. Natyrisht, zgjodhëm strategjinë e ngujimit, si minatorët e Trepçës në vitet 80-ta të shekullit të kaluar, kur e sensiblizuan tërë botën se, “Trepça eksploatohej Beogradi ndërtohej”! Ngujimi ynë për 13 ditë në hapësirën e BFI-së, konkretisht në zyren e Afrim Tahirit, hapi një dritare gjigante prej nga po vëreheshin të gjitha të bëmat e Sulejman Rexhepit, të gjitha planet e tij akoma të pabëra dhe, deri edhe rrënimi i BFI-së në themel! Ne u mbyllëm për t’u hapur portat e së vërtetës!

Ikën tri vite e ca muaj duke zhvillur një betejë të paimagjinueshme dhe vështirë të përballueshme madje nga komunitete të mëdha e mirë të organizuara. Ne ia dolëm sepse patëm Platformën tonë, patëm vizionin tonë dhe, mbi të gjitha, patëm Allahun Fuqiplotë në anën tonë, sepse po ia bënim hyzmetin të vërtetës në dëm të veprimeve penale, korrupsionit, zhvatjes, hajnisë, gënjeshtrës, shpifjes, nepotizmit, diktaturës që po lëshonin rrënjë në BFI-në e Sulejman Rexhepit.

Të vetmën luftë, apo përballje që na e bëri Sulejman Rexhepi për këtë kohë, ishte përpjekja e tij e parreshtur, diku me kërcënime e diku me pagesa, për ta penguar publikimin e të vërtetës sonë. Vetëm Sulejman Rexhepi e di fort mirë se sa e tmerrshme është e vërteta që e kemi ne rreth tij! Prandaj, ai vetëm këtë luftë e bënte, të mos na japë asnjë media hapësirë, sa herë që dilte Afrim Tahiri në TV apo në ndonjë gazetë, Sulejman Rexhepi kërcente si zorra në prush duke bërë trysni nga më të ndryshmet kundër medias që i jepte hapësirë. Deshti Zoti dhe, tërë ajo luftë e Sulejman Rexhepit rezultoi me një revoltë mediale kundër tij dhe me bashkangjitjen me kauzën tonë të dhjetra e dhjetra mediave të ndryshme elektronike. Nuk ka kaluar ditë të lume që nuk ka pasur shkrime kundër Sulejman Rexhepit, nuk ka pasur ditë që nuk është vënë në tapet Sulejman Rexhepi i cili, me shkëputjen tonë prej tij, sikur u trimërua dhe shkatërrimin e BFI-së e mori edhe më me hov.

Sot, në arkivin e Lëvizjes për reforma në BFI, janë të depozituar 1237 analiza, komente e shkrime të ndryshme mbi Sulejman Rexhepin si një mortajë që ka pllakosur BFI-në. Janë me mijëra shkrime e informacione të tjera, kurse, komente nëpër rrjete sociale janë 76, 034 dhe që këtij numri çdo ditë i shtohen me qindra të tjera. Pra, Sulejman Rexhepi hyri në histori si personi më i kritikuar dhe më i urryer për veprimet e tij të pahijshme. Natyrish, për veprimet e tij të pahijshme kemi ngritur edhe disa procese gjyqësore por, ja që Sulejman Rexhepi pati ndikim (si dhe tërë buxhtin e BFI-së të grumbulluar nga fitri dhe zeqati nga myslimanët e vendit) edhe në heshtjen e gjyqësorit, duke keqperdorur edhe subjekte partiake si dhe afrinë me persona me relevance në vend.

Zoti është i Madh! Tani, fushata jonë kundër kësaj të keqe veçmë është ngritur në instanca më të larta shtetërore dhe, shumë shpejt do të kemi edhe zbërthim të akuzave të ngritura ndaj tij. Në Parlamentin e Maqedonisë nuk u diskutua mbi ndonjë ide të shëndoshë e cila do të ndikonte në prosperimin e shoqërisë, por, u diskutua mbi një dukuri të rrezikshme që synon ta ngulfasë tërë shoqërinë tonë. Sulejman Rexhepi u bë temë diskutimi në Parlament dhe u kritikua ashtu siç diskutohen bandat kriminele nëpër parlamente të shteteve që janë në zgripc të fuksionimit normal pikërisht për shkak të bandave.

Pa dyshim, kjo luftë trevjeçare ishte kryekëput e Afrim Tahirit, ky shtegëtim kaq i gjatë drejt nxjerrjes në shesh të së vërtetës rreth Sulejman Rexhepit, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por, me lloj-llloj shantazesh, kërcënimesh, pengesash, me veprime desperatorësh, me ofertash për t’u korruptuar, me poste e ripunësime. Megjithatë, lufta jonë duhej ta kishte karakterin e shenjtë, ndaj dhe nuk u luhatëm për asnjë sekond. Do t’i shkojmë deri në fund. Bashkësia Fetare Islame duhet t’i merret një klike manipulantësh dhe t’i kthehet myslimanëve të vendit.

Zot, Faleminderit që më pozicionove në krah të vizionarit, durimtarit, luftëtarit të paepur për të vërtetën, në krah të Afrim Tahirit. Në këtë anë pa dyshim që të gjithë jemi faqebardhë…

Loading...

Comments are closed.