Nga Fadil LUSHI

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për fjalët e mësipërme jep këto shpjegime. PATRIOT m. Ai që do atdheun dhe popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri, ai që lufton me vetëmohim për të mbrojtur interesat e vendit e të popullit të vet…, RENEGAT m. përb. Ai që heq dorë nga bindjet e nga qëndrimet e mëparshme, që largohet nga partia ose nga klasa e vet dhe kalon në anën kundërshtare, tradh-tar…, TAVË ELBASANI, gjellë me mish e me kos e pjekur në furrë. Tavë me fasule (me mish, me oriz, me patate, me të mbushura). Fatkeqësisht, te ky fjalor nuk gjeta asnjë interpretim sa u përket togjeve të fjalëve të tilla si: “atdhetar tallava dhe anarki patriotike!”

Historianët e lashtë dikur thoshin se të gjitha rrugët të çojnë në kryeqendrën e perandorëve romakë, paksa të çmendur. Pa marrë parasysh se shqiptarët asnjëherë nuk e patën perandorinë e tyre, besojmë se ne për ta shkruar këtë vështrim nuk na duhet të gjejmë shumë rrugë, do të na mjaftojë vetëm një rrip toke që do të na degdis a do të na shpjerë në oborrin ku jetojnë shqiptarët, për të parë sesi ata mëtojnë ta ndërtojnë “karabinanë e marrëzisë” me tulla prej balte!

Pajtueshmëria e plotë e pikëpamjeve jo gjithmonë e nderon institucionin, siç është MENDIMI NDRYSHE! Jo gjithmonë duhet të pajtohesh me të tjerët kur kundërshtojnë mendimin e parë, të dytë a edhe të tretë. Mbaj mend kur në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, diku në një qytet të Zvicrës organizoheshin protesta për Kosovën dhe kundër ish-Jugosllavisë. Në krye të protestave qëndronte një i ri shqiptar. Dukej shtatlartë, shumë i pashëm dhe me cilësi të veçanta fizike. Se ç’fiqir kishte, asnjëherë nuk mora habere e nuk e kuptova. Ishte më zhurmuesi se të tjerët. Kishte dy flamuj kombëtarë, njërin të ngjitur në kraharor dhe tjetrin në pjesën e prapme të trupit të tij. Ky simboli kombëtar i ngjitur në pjesën e përparme të trupit të të riut “se ç’grushte kishte duruar”, një perëndi e di. Miqtë e tij thoshin se ky qenkësh “patrioti më i madh i kurbetçinjve shqiptarë të sistemuar në shtetin zviceran!” Çuditërisht, për katër vjet nuk kishte takuar prindërit, gruan, dy fëmijët si dhe familjarët e tjerë të tij dhe, lëre që nuk i kishte parë, por fatkeqësisht për katër mote nuk u kishte dërguar as një të vetmin lek. Dhe kur parashtrova pyetjen se çfarë “puro-patrioti” qenkësh ky, më thanë se “ai rrugëve diskuton kauzën e atdheut!?“.

“ATDHETARËT TALLAVA”. Ky tregim i shkurtër, m’i rikujton të gjithë “atdhetarët tallava”, të cilët kur nuk kanë mundësi për të bërë punë të mençura dhe kur nuk i merr gjumi, atëherë futen nën strehën e “anarkisë patriotike!” dhe njëkohësisht përgojojnë Granit Xhakën, Gjerdan Shaqirin, bogovinasin Blerim Xhemaili, Valon Behramin dhe shumë të tjerë shqiptarë që luajnë futboll profesional gjithandej në Evropë. Miku im i dashur, mban mend kur para dy vjetësh kombëtarja e Shqipërisë u ndesh me atë të Zvicrës… në kuadër të eliminatorëve për Kampionatin evropian. A të kujtohet se çka ndodhi me të ashtuquajturit “atdhetarë tallava!” A nuk ndodhi hataja, budallakia dhe ajo tifozeria shqiptare prej provincialisti. A nuk ishte një mesele me moral të dyfishtë. A nuk ishte një vaki “as peshk as mish, as i bardhë as i zi”…, shyqyr që kjo mesele nuk na doli “sallatë jeshile”, sepse folk-patriotët do të merrnin rend që ta provonin këtë trangull se a ka a jo kripë deti. Nga kjo mesele a nuk bëmë tavë-turli a tavë Elbasani. Fillimisht, të gjithë i shndërruan në renegatë…, sikur Shaqirin (pse shënoi golin për Zvicrën) e krahasuan me Esad Pashain, ndërkaq Xhakën e identifikuan me Ahmet Zogollin. Po ç’të keqe bënë ata që ta meritojnë këtë ngjashmëri. Tekefundit, “as Esati e as Ahmeti nuk ishin përfaqësues të kombëtares së Shqipërisë Londineze!” A nuk e ofenduan skajshmërisht edhe Adnan Jonuzajn, pse ky u deklarua shtetas i Belgjikës me prejardhje shqiptare, pse ky refuzoi t’i bashkëngjitej kombëtares së Kosovës a të Shqipërisë.          Miku im, a mban mend atë pankartën e shpalosur në një stadium ku, të pos tjerash, shkruante: “TË FALA MOTRËS ADNAN-NGA E GJITHË SHQIPËRIA!” Këta “atdhetarë tallava”, a nuk e shndërruan Adnanin në tradhtar…, a nuk thanë: “Inshallah Adnanit në Kampionatin botëror ‘Rusia 2018’, i del pushka huq!?” Parashtrohet pyetja, sipas këtyre “patriotëve tallava” që frekuentojnë mejhanet provinciale, çka duhet të bëjnë a si të veprojnë futbollistët shqiptarë që lozin në Evropë…, të cilët futbollin e kanë profesion primar! Sipas këtyre “atdhetarëve aksham pazari”, ku duhet të shkojë Shaqiri, Xhaka e të tjerë. Sipas meje, ata nuk do të shkojnë gjëkundi. Të gjithë ata që “mendojnë ndryshe” nga artikullshkruesi dhe nga lexuesi im i paanshëm, “o janë për në Stamboll, o për në Kavajë…, ose drejt te mëhalla e qelepirxhinjve të ish-partisë së punës!?“

“ANARKIA PATRIOTIKE”. Dikur moti, kur shteti i Jugosllavisë ishte në rrënim e sipër, një biznesmen shqiptar në një “ndejë tallava”, neve që ishim të punësuar si mësues, si mjek, si administratorë e të tjera profesione, pos të tjerash na tha: “Vëllezër dhe patriotë të dashur (të jesh edhe vëlla edhe patriot po edhe i dashur, kjo më duket paksa e pakuptueshme), ju detyrimisht duhet t’i braktisni vendet e punës të dërzhavës!” Njëri vëlla prej nesh parashtroi pyetjen: Çka do të bëjmë nëse do t’i lëshojmë vendet e punës, si do ta sigurojmë mirëqenien tonë materiale! Ai ia ktheu: “Mos kini dert! Unë do të qëndroj pranë jush. Unë do t’u sjell çdo javë nga një shportë me zarzavate dhe nga një sapun për të larë surratet tuaja prej intelektuali”. Fatkeqësisht, pas një kohe ky afarist lëre që shkoi drejt falimentimit, por dhe ngeli me sapunin në dorë! Nga kjo pjesë e këtij tregimi të shkurtër fillon ajo “filozofia” e “anarkisë patriotike” për të cilën fjalori nuk më “dha” asnjë të vetmin shpjegim. Parashtrohet pyetja, në këtë mesele, ç’bëjmë me folk-patriotët e mejhaneve të provincave, të cilët në vijimësi do t’i paragjykojnë figurat e ndritura shqiptare, çka do të bëjmë me shkencëtarin Ferid Muradi, pse ky u lind në Amerikë e jo në Gostivar, çka me humanisten Tereza, që iku për në Kallkutë e nuk jetoi në Shkup, çka do të bëjmë me eseistin më të madh të shqiptarëve, Konicën që, sipas folk-patriotëve a “anarkistëve patriotë”, qenkësh renegat, pse nuk paskësh jetuar dhe vepruar në Shqipëri, a mos vallë sipas këtyre shqiptarëve myshterinj të rregullt nëpër mejhane provincash, vëllezërit Frashri, paskan bërë hatanë pse kanë jetuar dhe vepruar në hapësirat e Perandorisë Otomane, po ç’faj kishin ata që ne asnjëherë nuk patëm Perandorinë! Ti, miku, këta kalamaj të çështjes kombëtare, vazhdojnë ta inatosin Iskender-beun, pse ky u arsimua në akademinë ushtarake të Padishahut e jo në Principatën e Kastriotëve…, këta folk-patriotë që ia kanë kthyer shpinën shtëpisë dhe që nuk i njeh dot katundi e as mëhalla e kasabasë, do na japin mend sesi duhet të ndërtohet patriotizmi shqiptar, “sesi duhet ngrënë bukën tonë e duhet bërë davanë e botës”…, pikërisht këta kalamaj të çështjes sonë kombëtare, kur t’u teket e si t’u teket, prej futbollistëve dhe figurave shqiptare që i përmendëm më lart do të kërkojnë llogari sa u përket veprimeve dhe vendimmarrjeve të tyre! Toptan, këta “anarkistë patriotë” sikur jetojnë në “fshatin dhe poezinë e Andon Zako Çajupit”…, “Burrat nën hije / lozin, kuvendojnë / pika që s’u bie / se nga gratë (me ëndrra me sy hapur-nënvizim ynë) rrojnë!”. Janë ca refrene të një kënge të vjetër qytetare ku, pos të tjerash, i këndohet sevdasë: “Sevdaja që s’m’u hoq, o lal, nga bukuria e saj…, Gjithë njerëzimi le ta dijë, se sevdaja s’ka kufij”…, Nëse sevdaja s’ka kufi, atëherë marrëzia jonë duhet ta ketë një vijë të kuqe!

 

Loading...
  ga('create', 'UA-63475902-1', 'auto', {'name': 'newTracker'});  // New tracker.   ga('send', 'pageview');   ga('newTracker.send', 'pageview'); // Send page view for new tracker.