Ditë feste e Komunës së Tetovës, 3 Marsi, nga viti 1991 e deri më sot, është festuar Dita e Pavarësisë së Bullgarisë (3 Marsi), e cila lidhet historikisht me Marrëveshjen e Shën Stefanit, për copëtimin dhe okupimin e trojeve shqiptare!

Nëse deri më sot, drejtuesit e Komunës së Tetovës nuk e kanë ndjerë për obligim moral dhe kombëtar, nuk kanë ditur dhe as kanë dashur ta përçojnë zërin e qytetarëve dhe intelektualëve tetovarë, tani i detyron Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë që ta ndryshojnë datën 3 Mars, si ditë feste e Komunës së Tetovës, ose ta festojnë këtë datë së bashku me fqinjët bullgarë, sipas nenit 4, paragrafi 2, si dhe nenit 8, paragrafët 2 dhe 3 të kësaj Marrëveshje.

* * *

Kujtesë:

3 MARSI, DITA E KOMUNËS SË TETOVËS, DATË QË NUK I NDERON SHQIPTARËT

Data 3 Mars, dita e Komunës së Tetovës është festuar nga viti 1991 deri më sot, por kjo datë duhet të zëvendësohet me një datë tjetër nga e kaluara e lavdishme e kombit shqiptar, si popull shumicë në këtë komunë, me ndonjë datë që lidhet me ngjarje ose personalitete të shquara të qytetit të Tetovës dhe rrethinës, dhe me këtë Komuna e Tetovës ta nderojë të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e qytetarëve të vet.

Data 3 mars nuk e nderon Tetovën, tetovarët dhe popullin shqiptar të këtyre trevave, sepse:
1. Është dita e nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit (3 mars 1878), për krijimin e Bullgarisë së Madhe, si satelite e interesave ruse në Gadishullin Ilirik;

2. Kjo datë festohet zyrtarisht si festa më e madhe kombëtare dhe shtetërore e Republikës së Bullgarisë, si ditë e çlirimit kombëtar të popullit bullgar nga Perandoria Osmane;

3. Traktati i Shën Stefanit shënon fillimin e copëtimit të trojeve shqiptare dhe ka qenë shkaku kryesor për organizimin e Lidhje së Prizrenit, si përgjigje ndaj pretendimeve grabitqare të shteteve fqinje për copëtimin e trojeve shqiptare.

Me shënimin e datës 3 mars nuk i bëhet nder as popullatës joshqiptare të Tetovës dhe Republikës së Maqedonisë, e cila sipas këtij Traktati po ashtu ka qenë e pushtuar dhe as që është planifikuar ekzistimi i këtij shteti në kudër të Bullgarisë së Madhe, e cila është paramenduar vetëm si satelit për realizimin e interesave ruse në Ballkan.

Për 25 vjet me radhë, Komuna e Tetovës i ka nderuar me rastin e kësaj feste, 3 marsit, ditës së Komunës së Tetovës, me mirënjohje dhe çmime, me dhjetëra veprimtarë të shquar, artistë, veteranë të arsimit, shkolla dhe institucione të tjera arsimor, kulturore, sportive e humanitare në këtë komunë. Të vetëdijshëm se kjo nuk u bën nder këtyre individëve, institucioneve dhe as vetë Komunës së Tetovës dhe udhëheqësve të saj, vlerësojmë se është koha e fundit kur duhet të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapa konkret për ndryshimin e kësaj date, e cila na turpëron përpara historisë dhe përpara botës demokratike.

Tetovë, 2 mars 2016

A P E L
DREJTUAR INTELEKTUALËVE TË TETOVËS

Ju njoftojmë se ditën e nesërme, më 3 mars 2016 (e enjte), në orën 12:00, një grup intelektualësh do të parashtrojnë Kërkesë drejtuar organeve drejtuese të Komunës së Tetovës, në lidhje me INICIATIVËN për ndryshimin e datës 3 Mars, Dita e Komunës së Tetovës.

Në ceremoninë e parashtrimit të kësaj kërkese ftohen të marrin pjesë edhe intelektualë të tjerë nga qyteti i Tetovës, qytetarë të interesuar dhe mediumet në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedoniasë.

Pas këtij akti, pritet që bartësit e kësaj nisme dhe organet drejtuese të Komunës së Tetovës të japin deklarata për mjetet e informimit.

Kryesuesi i nismës,
Prof. Abdulla Mehmeti

Tetovë, 2 mars 2016

DATA 3 MARS ËSHTË POSHTËRUESE PËR KOMUNËN E TETOVËS DHE BANORËT E SAJ

Kryesuesi i Iniciativës qytetare për ndryshimin e datës 3 mars, ditës së Komunës së Tetovës, prof. Abdulla Mehmeti, para godinës së kësaj Komune, në pritje të konferencës për mediume, me rastin e parashtrimit të kërkesës zyrtare drejtuar organeve të kësaj komune për ndryshimin e datës 3 mars, e cila është datë poshtëruese për Komunën e Tetovës dhe banorët e saj.

Tetovë, 3 mars 2016

Loading...