Fatmir Izairi 

Vetëm veprat e mëdha në shërbim të njerëzve, e shoqërojnë njeriun edhe pas vdekjes, sepse këta edhe kur nuk janë duke ecur mbi tokë, veprat e tyre të transformuara në fakte, nuk pushojnë se ekzistuari, duke u bërë gjurmë të historisë.

Por, kur nga njerëzit e gjallë, që gjithë kohën flasin për unitet dhe përfaqësim të barabartë të çdo qytetari, veprat e mëdha të njerëzve klasifikohen në dy lloje apo grupe “ata” dhe “ne”, këtu më kemi të bëjmë me tendencë të qëllimshme për t’i futur në harresë faktet e veprave të mëdha, duke mos i përkujtuar.

Shumë njerëzore dhe humane është mirënjohja publike për veteranët e arsimit, që arsimit i kanë kushtuar jetën e tyre, aktivitet që duhet të përgëzohet, por vetëm se imazhi i kësaj u dëmtua nga ndarja dhe perceptimi i veterantëve të arsimit në grupe dhe lloj tjetër nga ai që e organizoi këtë aktivitet.

Shumë mësues në sallën e mirënjohjeve ishin të gëzuar nga vlerësimi që iu bëhej, sidoqoftë do të duhet të rikujtojmë të gjithë pjesëmarrësit e kësaj dite, se një ndër veteranët e arsimit në komunën e Zhelinës, ndoshta edhe më meritori, është edhe i ndjeri Abdurahman Aliti, i cili fillimisht ishte një ndër mësuesit e parë në këtë vend, që më vonë me kontributin dhe aftësitë e Tij politike në kohëra të vështira arriti të ndërtoj shkolla dhe infrastrukturë rrugore në disa vendbanime me theks të veçantë po përmend pikërisht këtë shkollë ku edhe realizuat manifestimin , por as më pak i ndjeri Abdylaqim Ademi, që kontribuoi në ndërtimin e shkollave dhe modernizimin e tyre, përfshirë edhe ndërtimin e kësaj salle sportive.
Gjithandej nga diçka është rikonstruuar ose nga temeli janë ndërtuar nga të lartëpërmendurit duke u nisur prej Sallareve e Merove, pastaj Cerovë, Llërcë, Dëbërcë, Çiflik, Kapazhdoll, Novosellë, Grupçin, Leshnicë e Epërme, Zhelinë, Strimnicë, Pallaticë e Trebosh, ku edhe po në atë godinë të bukur ku u realizua manifestimi, kishte vepra të mëdha nga këta njerëz, sigurisht se edhe kontributet e mia në këtë sferë nuk kanë munguar.

Faktet nuk pushojnë së ekzistuari kur ato mohohen. Historia është e bazuar mbi fakte dhe ato fakte janë kokëforta përballë çdo lloj ëmbëlsirë shitësi e “politikani” që kërkon t’i mohon, sidomos kur e gjen veten në vështirësi nga mungesa e veprave të veta.

Vetëm një njeri apo një grupacion që ka humbur sensin e realitetit mund të ndajë mirënjohje për cilindo përveç më meritorëve. Mos ndarja e mirënjohjeve për Abdurahman Alitin, i cili ka qenë mësues po aq sa oponenti i tij politik Arbër Xhaferri, por mllefi i këtyre shkon aq larg sa që të dytit i ndahet mirënjohje, e të parit jo, edhe pse meritat e Tij janë të pakontestueshme, vallë a thua për këtë depolitizim e kishit fjalën? Cila është ajo dorë që mundohet ta fshij veprën e Alitit?

Njëjtë edhe OJQ “Sinqeriteti” nuk u vlerësua, edhe pse me shumë përkushtim investuan në atë shkollë. Kësaj i thonë kur nuk ke turp, bëj ç’të duash!.

Askush nuk vuan për mirënjohje aq më pak ata që nuk jetojnë më dhe veprat e tyre nuk mund të shlyhen aq më pak nga këta xhonturq që mendojnë se bota ka nis dhe do mbaron me ta. Madje unë jam i bindur që familja Aliti edhe do e kishte refuzuar një mirënjohje nga personat me karakter të dyshimtë e adresë të panjohur.

E keqja është se po aq sa nga dashakeqësia, aq edhe nga padituria këta persona po e shkatërojnë arsimin çdo ditë e më shumë. Ata nuk bëjnë as modernizim as depolitizim të arsimit po mundohen ta njollosin politikisht atë edhe për të kaluarën duke dashur që ta ndryshojnë edhe historinë nëpërmjet monogrameve që i paralajamëron Zehedi Nazifi.

Mosmirënjohësit nuk i don as Zoti.”