Administrata amerikane mbrojti sot vendimin e Donald Trump për një takim historik me liderin koreanoverior Kim Jong Un dhe garantoi se vetëm politika e tij jashtëzakonisht e vendosur kishte mundësuar një hapje të tillë.

“Ai vuri një presion botëror gjigant mbi Korenë e Veriut, që pati një impakt të vërtetë mbi regjimin dhe ekonominë e tij, kjo e shtyu Kim Jong Un që të vijë tek ne dhe të thotë se kërkon të diskutojë sipas kushteve që SHBA-ja nuk kishte marrë ndonjëherë më parë”, deklaroi për kanalin televiziv NBC, Mike Pompeo, drejtori i CIA-s dhe shumë i afërt me Donald Trump.

“Ne nuk i kemi vendosur kurrë koreanoveriorët në një situatë të tillë, duke ua dobësuar kaq shumë ekonominë dhe duke vendosur po kaq shumë presion mbi liderin e tyre”, kishte deklaruar ai më herët për “Fox News”, përcjell Atsh.

Koreja e Veriut është prekur nga sanksione shumë të ashpra ekonomike, të vendosura nga SHBA-ja, Bashkimi Europian dhe OKB-ja si përgjigje ndaj programeve të saj bërthamore dhe balistike.