Policia e Shkodrës ka arrestuar dy shqiptarë dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi kanë tentuar që të kalojnë sirianë të paligjshëm në kufirin në Malin e Zi.

Siç njofton edhe policia, shtetasit Aldo Ukaj 32 vjeç dhe 28 vjeçari Alfonc Çapi janë arrestuar për “Dhenie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Sipas burimeve të policisë, është shpallur në kërkim edhe 24 vjeçari G.G, i cilika braktisur 6 sirianë në kufi, më pas është larguar.

Njoftimi i Plotë i Policisë

“Me datë 10.03.2018 nga strukturat e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në D. V. P. Shkodër në bazë të informacione të marra në rrugë operative u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Aldo Ukaj,  32 vjeç, banues në lagjen Manush Alimani, Shkodër

Alfonc Capi , 28 vjeç, banues në Vaqarr Tiranë

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. G,  24 vjeç,  banues në Tiranë,

Arrestimi i shtetasit Aldo Ukaj u bë pasi në rrugën Lezhë – Shkodër në vendin e quajtur Ura e Baçallekut u kap duke transportuar me mjetin tip Dacia me targë AA 784 JO, 5 shtetas të huaj Sirian për në Malin e Zi.

Shtetasi Alfonc Capi u arrestua pasi në rrugën Lezhë – Shkodër tek ura Baçallekut në bashkëpunim me shtetasin G. G, u kap duke transportuar shtetas të huaj Sirian për në Mal i Zi, ku Alfonc Capi me mjetin tip Renault me targë AA 897 KU kishte 4 shtetas Sirian, ndërsa në afërsi të Urës së Baçallekut u gjetën të braktisur edhe 6 shtetas Sirian të së njejtës familje me 4 të tjerët të cilët i ka zbritur nga mjeti, shtetasi G. G. dhe është larguar.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër , në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, për veprën penale “Dhenie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 298/3  të Kodit Penal.