“Nuk ishte e nevojshme që t’i vendoset etiketim evropian Ligjit për gjuhët”, ka deklaruar ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristian Timonie në një intervistë për “Makfaks”. Ambasadori duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit lidhur me bllokimin e Kuvendit nga ana e VMRO-DPMNE-së me 35 mijë amendamentet, tha se ligji nuk ka nisur në mënyrën adekuate.

“Kuvendi nuk funksionon si duhet”, ka theksuar Timonie. “Ligji nuk ishte prioritet për Bashkimin Evropian. Partitë shqiptare janë legjitime dhe duan që kjo çështje të zgjidhet”, shtoi Timonie.

Ambasadori u thirr në deklaratën e liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, i cili ka deklaruar se për këtë ligj kanë pritur 150 vjet dhe do të presin edhe pak.
“Duhet të gjendet inspirim në mençurinë e tij”, ka deklaruar ambasadori i Francës. Timonie ka potencuar se është shumë më e rëndësishme që shteti ta bind Brukselin dhe demokracia në Maqedoni është funksionale. Ai po ashtu është i befasuar me atë se sa lehtë iu është marrë imuniteti deputetëve në Kuvend. “Nuk është më i rëndësishëm paraburgimi, por vendimi përfundimtar”, ka deklaruar ambasadori për “Makfaks”.