Vitet e fundit gjithnjë e më shumë femra po i kushtojnë rëndësi estetikës së duarve dhe mirëmbajtjes së tyre, mirëpo për fat të keq janë të pakta ato që i kushtojnë rëndësi trajtimit dhe ushqyerjes së tyre. Të zgjedhësh nuancën e duhur të manikyrit apo të bësh thonjtë me xhel nuk mjafton, pasi thonjtë kanë nevojë të marrin vitaminat dhe lëndë e tjera ushqyese për t’u mbrojtur nga thyerja, zverdhja, myku dhe dobësimi i kutikulave. Living ju propozon dy trajtime 100% natyrale që duhet t’i provoni në çdo kohë:

1.Trajtim me hudhër dhe vaj ulliri: Përbërësit sulfurikë të hudhrës të kombinuara me acidet yndyrore të vajit të ullirit përbëjnë një ndër metodat më efektive për trajtimin e thonjve të dobët. Këta dy ingredientë ushqejnë kutikulat e thonjve duke i mbajtur vazhdimisht të hidratuar dhe të shëndetshëm. Merrni dy thelpinj hudhër dhe shtypini me frulator derisa të formohet një masë kremoze, të cilës do i shtoni 1-2 lugë çaji me vaj ulliri. Me ndihmën e një furçe me qime të butë ose sfungjeri lyeni të gjithë thonjtë dhe mbajini kështu për 30-40 minuta. Era e keqe mund t’ju shqetësojë fillimisht, por nuk do ta ndieni më me kalimin e kohës. Këshillohet që gjatë trajtimit të fusni të dyja duart në qese ose doreza gome. Më pas shpëlani thonjtë me ujë të vakët pa përdorur kurrfarë solucioni larës. Ky trajtim këshillohet të përdoret 2-3 herë në javë.

2.Trajtim me uthull të bardhë rrushi dhe vaj të pemës së çajit: Vaji i pemës së çajit dhe uthulla e bardhë e rrushit kanë në përmbajtjen e tyre përbërës me veti antimykotike, antiinflamatore dhe vitamina që ushqejnë thoin. Në një enë shtoni 100 ml uthull të bardhë rrushi, 1 lugë me vaj të pemës së çajit dhe 2 lugë gjelle me ujë të vakët. Përzieni 3 përbërësit bashkë dhe masën e krijuar shtojeni në një shishe me formë sprucatori dhe aplikojeni mbi gishtërinj disa herë gjatë ditës.