Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Jacek Çaputoviç, pasnesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku do të ketë takim me homologun e tij, Nikolla Dimitrov.

“Në takim, ministri Dimitrov do të informojë për aktivitetet lidhur me axhendën e reformës së brendshme dhe zhvillimi e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në kontekst të rezultateve të pritshme pozitive për afrimin drejt rrugës të integrimit të plotë të Republikës së Maqedonisë në BE dhe në NATO. Pritet që në takim të dy ministrat të këmbejnë mendime edhe për mundësitë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit bilateral”, njoftojnë sot nga MPJ-ja.

Sipas njoftimit të MPJ-së, Dimitrov dhe Çaputoviç do ta hapin takimin e shtatë mes Polonisë dhe Maqedonisë në procesin e eurointegrimeve i quajtur “Konferenca e Shkupit”, me funksionarë shtetërorë nga Maqedonia dhe Polonia.

Njëkohësisht të dy ministrat do të vendosin lule para përmendores së hebrenjve të dëbuar nga Maqedonia, në kuadër të ngjarjes përkujtimore që organizohet me rastin e 75 vjetorit të dëbimit të hebrenjve nga Maqedonia.