Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Maqedonisë, z.Valmir Aziri hapi ekspozitën tradicionale të artisteve femra të titulluar “Hyjneshat”.
Ekspozita u mbajt me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë.

Fjalimi i plotë i sekretarit Aziri:

Ish kryeministrja e Britanisë së Madhe Margaret Taçer thotë, nëse dëshironi të thuhet diçka, kërkojeni atë prej një burri mirëpo nëse dëshironi të kryhet diçka, kërkojeni atë prej një gruaje. Siç e shifni për ironi, unë sot jam këtu për të folur mbi punën që keni bërë ju.
Kjo ditë nuk është e rëndësishme vetëm se është ditë e caktuar si Ditë feste ose më mirë thënë si ditë e gruas por kjo ditë është e rëndësishme pasi është zanafilla ose sublimimi i të gjitha përpjekjeve, i të gjitha sakrificave, i gjithë djersës, gjakut dhe mundit të të gjitha grave në kontributin që japin për ta bërë këtë botë më humane, më të drejtë, më të emancipuar dhe më të bukur, prandaj me përulësi para nënave tona, mësueseve tona, bashkëshorteve dhe vajzave tona, ne ju urojmë këtë ditë dhe ju faleminderojmë që jeni pjesa më e mirë e jona.
I përgëzoj të gjitha artistet për punën e bërë, ju uroj shëndet dhe suksese në jetë ndërsa ekspozitën e shpalli solemnisht të hapur.