Tetë vite pasi që u premtua, kanë filluar punët përgatitore për fillimin e punimeve për rinovimin e “Bit Pazarit”. Punimet zyrtarisht do të fillojnë nga 15 marsi dhe do të zhvillohen në mënyrë racionale me qëllim që të mos bllokohet puna e shitësve. Tezgat nga sektori i shtatë dhe i tetë janë dislokuar në sektorët tjerë të tregut, pasi që nga kjo pjesë do të fillojë rinovimi. Nga Oda e Tregjeve të Maqedonisë pranojnë se realizimi i projektit është vonuar. Për këtë gjë, i pari i Odës së Tregjeve Ekrem Dolek thotë se ka pasur ngecje të majme në kompletimin e dokumentacionit në kadastër dhe në ndarjen e parcelave. Dolek vlerëson se mungesa e kushteve elementare ka penguar edhe zhvillimin e biznesit për brenda tregut.

Besoj dhe jam shumë optimist se me ndërtimin e parkingut dhe rinovimin e pazarit kështu si që është e paraparë me projekt, në një farë mënyre në numër të madh do të kthehen edhe blerësit dhe gravitimi i njerëzve në “Bit Pazar”, gjë kjo që është vetë në interes të shitësve dhe në interes të të gjithë neve – deklaroi Ekrem Dolek, Kryetar i Odës se Tregjeve.

Të kontaktuar nga Alsat-M me telefon, nga “Skopski Pazar” nuk pranuan që të na japin përgjigje në lidhje zvarritjen e realizimit të projektit për rinovimin e tregut. Alsat mëson se punimet që do të zhvillohen në fazë, duke përfshirë vetëm nga dy sektorë, do të zgjasin nga tre deri në katër muaj, ndërsa i gjithë rikonstruktimi do të marrë rreth 14 muaj kohë. Kjo gjë i shqetëson shitësit të cilët ankohen se dislokimi nëpër sektorët e tjerë ka ndikuar direkt në përfitimet e tyre. Ata bëjnë apel që punimet të kryhen sa më shpejt dhe puna në “Bit Pazar” të kthehet në normalitet.

Kjo gjë flitet për më shumë se 20 vite, unë vetë këtu jam për më shumë 30 vjet. Me të vërtetë kjo që pritet të bëhet ia vlen. Sa më shpejtë që të përfundojnë punimet është aq më mirë për ata, ndërsa ende më mirë për ne. sepse unë për 38 vite me radhë jam në një vend dhe myshterinjtë më kërkojnë këtu ndërsa unë kam dalë në vend tjetër – u shpreh Dimko Tofillovski, shitës.

Ne këtë gjë e kemi kërkuar që nga viti 2005, ndërsa këta të Komunës dhe pronarët tek tani kanë rënë dakord që të fillojnë punimet -u shpreh Sabri Agushi, shitës.

Rinovimi i “Bit Pazar-it” është premtuar që nga vitit 2010. Jo rrallë herë është përdorur si karrem edhe nëpër fushata politike. Projekti në realizim parasheh kushte më të mira higjienike dhe atmosferike për shitësit. Të njëjtit i gëzon fakti se tregu do të mbyllet dhe gjatë stinëve të ftohta nuk do ta kenë më problem shitjen. Gjithashtu pritet që të zgjidhet edhe problemi me vendparkimin, pasi mbi treg, janë paraparë rreth 230 vende parkimi.