Strategjia e izolimit të Koresë së Veriut, e vendosur nga administrata e presidentit Donald Trump, nëpërmjet sanksioneve ekonomike, po funksionon, theksoi zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence një ditë pas shpalljes historike të një samiti mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong Un.

Në një komunikatë të mbajtur sot, Mike Pence ritheksoi se “fushata e presionit maksimal do të vazhdojë deri sa Koreja e Veriut të marrë masa konkrete, të përhershme dhe të verifikueshme për t’i dhënë fund programit të saj bërthamor”.

Presidenti amerikan pranoi të enjten të marrë pjesë në një samit historik të propozuar nga lideri koreano-verior Kim Jong Un.

Samiti i paprecedentë do të zhvillohet në fund të majit në një vend që ende mbetet për t’u vendosur, për të arritur denuklearizimin e përhershëm, sipas Chung Eui Yong, këshilltari kombëtar koreano-jugor për Sigurinë, që përcolli mesazhin e kryetarit koreano-verior, të cilin e takoi në fillim të javës.