Dybala shihet nga klubi francez si zëvendësuesi ideal për Neymarin.

Në Francë nuk janë të bindur se Neymari do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm te Paris Saint Germaini, andaj janë hedhur në sulm për të gjetur pasuesin e brazilianit.

Sipas mediave franceze, Paulo Dybala i Juventusit shihet si zëvendësues ideal për Neymarin.

26 vjeçari brazilian lidhet me një transferim në Spanjë te Real Madridi, por së fundmi janë shtuar zërat edhe për një rikthim të mundshëm në “Camp Nou” te Barcelona.

Sipas asaj që publikohet në median spanjolle, sulmuesi 26-vjeçar është penduar për largimin e tij nga Barcelona për të shkuar në kampionatin francez. “El Mundo Deportivo” bën të ditur se Neymar i është vetëofruar klubit katalanas për një rikthim të tij në “Camp Nou”, por drejtuesit e Barcelonës e pritën shumë ftohtë këtë ide të tij, kjo edhe për shkak të mënyrës së largimit nga nënkampionët e Spanjës.

Në mediat madrilene, e përditshmja “AS” këmbëngul në interesin e fortë të Real Madridit për Neymarin.

Por, problemi në këtë pikë qëndron te vlera e kartonit të futbollistit, pasi Paris Saint Germain nuk dëshiron të dalë me humbje nga këto tratativa, me francezët që pretendojnë të arkëtojnë nga shitja e tij një shumë vërtet të majme.

Gjithnjë sipas “AS”, përfaqësuesit e Real Madridit kanë shprehur gatishmërinë për të paguar rreth 400 milionë euro për të bindur Al Khelaifin që të lejojë transferimin e brazilianit në kryeqytetin spanjoll.

Neymari aktualisht gjendet në Brazil, ku po vazhdon me procesin e rikuperimit pas operimit në kyçin e këmbës së djathtë.