Për çështje ligjore, seanca  për ankesën e vendimit të Gjykatës së Selanikut për ekstradimin e Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski në Gjykatën Supreme në Athinë, u ndërpre dhe do të vazhdojë më 26 prill sërish pas dyerve të mbyllura.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, mbledhja filloi pas dyerve të mbyllura, me kërkesë të avokatëve, pas disa minutave ishte ndërprerë dhe vazhdoi pas pushimit prej gjysmë ore.

Ekipi prej dy avokatëve të Grujevskit dhe Boshkovskit kërkoi nga Këshilli gjashtëanëtarësh i gjykatësve dhe prokurorit që seanca të mos jetë publike, ndërkaq pas kërkesës së kryesueses së Këshillit, ata arsyetuan se përse dëshirojnë që salla e gjykatës të zbrazet dhe shfrytëzuan disa argumente.

Thanë se bëhet fjalë për përndjekje politike dhe se janë akuzuar për krim politik, diçka me çka ata si mbrojtje nuk dakordohen, sqaruan se në dëshminë që do ta japin ka pyetje të cilat janë të besueshme, të cilat nuk janë për opinion, duke marrë parasysh atë se seancat janë publike dhe askush nuk e di se kush ndodhet në sallën e gjykatës. Siguria e klientëve të tyre ishte edhe një nga argumentet e avokatëve.

Njëri avokat arsyetoi se dëshmitë që do t’i japin kanë të bëjnë me rast politik, me përgjimet rreth të cilave pati kthesë politike dhe përmendi ndërrimin e pushtetit.  Dhe përkujtoi se edhe në Gjykatën në Selanik seanca ishte me dyer të mbyllura.

Si argument shtesë, njëri nga avokatët theksoi se në sallën e gjykatës ka edhe gazetarë, të cilët dëshirojnë të publikojnë atë që thonë Grujevski dhe Boshkovski në dëshmitë e tyre.

Për rastin konkret nuk ekziston kurrfarë interesi në mediat greke dhe gazetarja e vetme në sallë ishte korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Para se të sillet vendimi përfundimtar nëse do të pranohet apo jo dëgjimi të mbahet me dyer të mbyllura, kryetarja e Këshillit të gjykatësve u sqaroi Grujevskit dhe Boshkovskit se avokatët e tyre kërkojnë që seanca të jetë e mbyllur dhe kërkoi pajtueshmëri prej tyre. Në pyetjen nëse edhe ata dakordohen që dëgjimi të mbahet me dyer të mbyllura, të dy u deklaruan me pohim.

Menjëherë më pas, prokurori kumtoi se kërkesa është pranuar dhe në sallë mbetën vetëm Boshkovski, Grujevski, sigurimi policor, përkthyesi dhe dy avokatët.

Seancat e këtilla sipas rregullit janë publike, ndërkaq vetëm në raste të caktuara bëhen përjashtime dhe mbahen me dyer të mbyllura.

Pas përfundimit të seancës, me sigurim policor, Grujevski dhe Boshkovski sërish ishin kthyer në burgun athinas “Koridalos” ku do të mbesin deri në seancën e ardhshme.

Për Grujevskin dhe Boshkovskin në Greqi, ashtu siç veçmë publikoi MIA, udhëhiqen tre procese të ndryshme dhe jokoherente të ndërsjella.

Njëri është për pasaporta të falsifikuara, me të cilat ishin zënë në aeroportin e Selanikut, gjykimi pas tre anulimeve do të mbahet më 17 maj të këtij viti.

Rasti tjetër është pas kërkesës së parashtruar për azil më 29 nëntor. Përgjimi para Komisionit për azil në Selanik ishte caktuar për më 15 shkurt, por është anuluar, për shkak të asaj që ata gjenden veçmë në Athinë.

I treti është për kërkesën e Maqedonisë për ekstradim, për të cilin Këshilli i Gjykatësve në Selanik, më 5 janar vendosi, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski të ekstradohen në Maqedoni, ndërsa menjëherë pastaj avokatët e tyre parashtruan ankesë kundër vendimit të Gjykatës, për rastin ta shqyrtojë Gjykata Supreme në Athinë.