Houstoni rigjen fitoren në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. “Rockets”-at, edhe pse pa James Harden, fituan derbin teksan me Dallasin me rezultatin 105-82.

Ajo ishte një ndeshje e interpretuar mjaft mirë nga Houstoni, që e kontrolloi pa probleme atë, gjë që e tregon diferenca prej 23 pikësh me Mavericks në fund të përballjes.

Houstoni e vendosi diktatin e tij në pjesën e dytë të sfidës, kur krijoi edhe shkëputjen kundrejt Dallasit. Lojtarët më të mirë në parket për Houstonin ishin Eric Gordon, me 26 pikë, dhe Chris Paul, me 24 pikë e 12 asiste, ndërsa për Dallasin spikati Dwight Powell, me 20 pikë.

Mjaft mirë bëri edhe Toronto në sfidën me Nju Jorkun. “Raptors”-at e fituan përballjen me “Knicks”-at me rezultatin 132-106, edhe pse nuk e kishin në formën më të mirë DeRozan, që e mbylli sfidën me vetëm 9 pikë të shënuara.

Toronto realisht nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren, ku ata që morën rolin e protagonistit ishin lojtarët që nisën ndeshjen nga pankina; Miles, Poeltl, vanVleet dhe Wright. Duke parë formën e këtyre basketbollistëve, Nju Jorku e pati të pamundur t’i kundërpërgjigjej Torontos.

Golden State nuk mundi dot të kalojë Minnesotën, ndaj së cilës humbi 103-109. Ishte një duel i rivalizuar që pati brenda tij edhe minisfidën përkatëse, atë mes Karl Anthony Towns e Kevin Durant, ndërkohë që në parket nuk ishin as Butler e as Curry, për arsye dëmtimi.

Durant shënoi 39 pikë e rrëmbeu 12 topa në tabelë në këtë sfidë, por këto nuk i shërbyen Golden State, që u detyrua të dorëzohej përballë Minnesotës, për të cilën Towns shënoi 31 pikë e rrëmbeu 16 topa në tabelë.

Humbje pësoi edhe skuadra nënkampione e NBA-së, Cleveland, që u mposht nga LA Lakers 127-113. Për skuadrën nga Ohio kjo ishte disfata e dytë radhazi në Kaliforni, pas asaj të pësuar nga LA Clippers.

LeBron James regjistroi një bilanc me 24 pikë, 10 topa në tabelë e 7 asiste, por pa mundur dot të ndhmojë “Cavaliers”-at që të evitojnë humbjen, raporton Tch “Lakers”-at ishin gjatë të gjithë kohës në udhëheqje të rezultatit, por vetëm në periodën e tretë kalifornianët vendosën përfundimisht diktatin e tyre në këtë sfidë.