Kancelarja gjermane Angela Merkel me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas deklaroi se “edhe pse është arritur shumë, duhet të vazhdohet lufta për barazi midis grave dhe burrave në Gjermani dhe mbarë botën.

“Një numër i madh i grave para nesh kanë qenë viktima dhe vazhdimisht kanë luftuar për të drejta më të mëdha të gruas…por edhe më tej mbetet të bëhet edhe më shumë”, deklaroi njëra ndër gratë më të fuqishme në botë.

Merkel theksoi edhe se “ka edhe detyra të reja për burrat, por nuk saktësoi në çfarë mendon.

“Për shkak të kësaj,  dita e sotme nuk është vetëm ditë kur duhet të përqendrohemi në arritjet, por edhe ditë ku themi – vazhdon lufta për barazi”, theksoi kancelarja gjermane.

Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi është vendosur në shenjë të përkujtimit të protestave të punëtoreve amerikane në Çikago në vitin 1909 dhe marshin e më shumë se 15.000 grave në Nju-Jork, të cilët kërkonin orar më të shkurtër të punës, paga më të mira dhe të drejtë të votës.