Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, deklaroi se në takimin e parë teknik Turqi-SHBA, që të enjten filloi në Washington, do të bisedohet për shumë çështje që kanë të bëjnë me krizën në Siri.

Në adresimi para gazetarëve, Nauert theksoi se zyrtarët e SHBA-ve dhe Turqisë në takimin e komitetit teknik do të bisedojnë edhe për operacionin në Afrin të Sirisë.

Me rastin e vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në Ankara më 15 dhe 16 shkurt, u formuan tre komitete me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve bilaterale. Planifikohet që në komitetet në fjalë të mbahen bisedime për tre çështje kyçe: Siri, Iraku dhe organizatën terroriste FETO, të drejtuar nga Fetullah Gylen, raporton AA.

Nauert gazetarëve u tha se është planifikuar që takimi i parë i komitetit teknik mbi Sirinë të mbahet të enjten dhe të premten.

“Këto janë, para se gjithash, biseda hyrëse. Para nesh ka edhe shumë tema mbi të cilat do të bisedojmë”, tha zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ajo theksoi se delegacionin e SHBA-ve e kryeson Wess Mitchell, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, i përbërë prej 20 zyrtarëve.

Delegacionin e Turqisë e kryeson Sedat Onal, zëvendës i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Më parë u theksua se qëllimi i takimit është tentimi për gjetjen e zgjidhjes për problemet në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-ve. Ende nuk dihet kur do të mbahen takimet e dy komiteteve tjera.