Forcat e presidenti Bashar al Asad vazhduan ofensivën në Gutën Lindore.

Ushtria e regjimit në Siri ka vazhduar ofensivën kundër Gutës Lindore, vetëm një ditë pasi që arriti të izoloi Doumen, një prej qyteteve të mëdha në këtë enklavë të kontrolluar nga kryengritësit dhe në të cilën që nga fillimi i ofensivës para 20 ditësh janë vrarë më shumë se 1 mijë civilë.

Forcat e presidentit Bashar Al asad po përpiqen që me ofensivën e përmasave të mëdha të pushtojnë rajonin e fundit të kontrolluar nga kryengritësit në afërsi të Damaskut dhe deri me tani forcat qeveritare kanë vendosur nën kontrollin e tyre gati gjysmën e enklavës.

Observatori sirian për të drejta të njeriut ka njoftuar se që nga fillimi i sulmeve në enklavë më 18 shkurt, deri me tani janë vrarë 1013 civilë, në mesin e tyre 219 fëmijë, ndërsa janë plagosur mbi 4350 të tjerë.

Këshilli lokal i Doumes ka kërkuar ndihmë nga organizatat ndërkombëtare, duke theksuar se banorët janë duke fjetur nëpër parqe dhe rrugë, ngase strehimoret tashmë janë të stërmbushura me njerëz.

Që nga 18 shkurti, në Gutën Lindore kanë arritur të hyjnë vetëm dy konvoje me ndihma humanitare dhe atë vetëm falë armëpushimit ditor në kohëzgjatje prej pesë orë.