Rruga kryesore e Nikushtakut jo që është prishur, por nuk ka qenë asnjëherë si duhet e ndërtuar, thonë banorët e këtij fshati. Ata ankohen se po prishin makinat e tyre, çdo ditë nëpër rrugët me gropa. Por, disa prej tyre kanë gjetur si opsion të udhëtimit kafshët shtëpiake. Sabajdini thotë se punët në këtë fshat nuk janë në rregull, por është optimist se një ditë do të bëhet më mirë.

“Jo kjo punë nuk është në rregull, por me kontributin e komunës, që kanë premtuar për t’i shtruar disa rrugë, besoj se do të rregullohen. Disa janë kryer me begatonizim, por në të ardhmen shpresoj se do të bëhet mirë. Po, përveç rrugës fshati ka shumë halle tjera, problem ka edhe me ujësjellësin, mungesë e rrethojës së oborrit të shkollës, siç po e shihni, por jemi optimist për të ardhmen”, tha Sabajdin Sulejmani, Banor i Nikushtakut.

Nga Komuna e Likovës thonë se Nikushtaku, nuk është fshati i vetëm i kësaj komune që ka telashe me infrastrukturën. Kryetari Erkan Arifi shprehet se rrugët janë dëmtuar së fundmi, nga hapja e llogoreve për rregullimin e sistemit të kanalizimit.

“Duke pasur parasysh nevojën e banorëve të fshatit Nikushtak, ne kemi paraparë që pas përfundimit të rrjetit primarë të kanalizimit fekal të fshatit, sepse nuk është shtrirë i tërë rrjeti, por vetëm shumica e saj, ne kemi marr masa dhe kemi bërë projektin përgjatë rrugës kryesore nëpërmes të fshatit që të bëhet projekti kryesorë, t’i jepet leja e ndërtimit dhe pastaj ta parashohim në planin investues të Komunës së Likovës, që ai aks rrugorë të përfundoj me asfaltim”, u shpreh Erkan Arifi, Kryetar i Likovës.

Kjo komuna veriore e Maqedonisë me 27 mijë banorë u themelua 2002,kur me procesin e decentralizimit është ndarë nga Komuna e Kumanovës. Buxheti i përgjithshëm komunal për këtë vjet është 8 milion euro, prej të cilave 3,6 milion euro janë paraparë për infrastrukturë dhe ndërtim.

Sipas zyrës së urbanizmit të Komunës së Likovës, për tubacionin kryesorë të kanalizimit në fshatin Nikushtak, janë në fazën përfundimtare, e cila taksapaguesve të kësaj ane do t’ju kushtoj edhe 150 mijë euro. Për degëzimet e rrjetit dytësorë nëpër rrugica, nga arkitektët komunal thonë se materialin do ta blej komuna, kurse punën e dorës duhet ta bëjnë vet banorët.