Edhe pse, ditë më parë, Lëvizja BESA reagoi ndaj diskriminimit që po u bëhen shqiptarëve dhe të tjerëve në Ministrinë e Kulturës, sepse në konkursin e hapur kusht për punësim ishte përkatësia etnike dhe jo profesionalizmi, kjo ministria – përkundër kundër-reagimit – nuk ofroi asnjë shembull kur në konkurs të tillë është parashikuar të punësohet një shqiptar ose një pjesëtar i një etnie tjetër.

Prandaj, Lëvizja BESA edhe një herë thekson se ky standard skandaloz duhet të marrë fund sa më parë dhe, bashkë me të, të përfundojë edhe avazi i diskriminimit të shqiptarëve nga kjo ministri.

BESA përsërit se ky konkurs duhet të anulohet ose të ndryshojnë kushtet e pranimit të nëpunësve shtetërorë, duke mos e specifikuar etninë, por vetëm njohjen e gjuhëve, sepse kjo e pamundëson garën e barabartë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë për vend pune.

Nëse edhe kësaj here reagimi jonë mbulohet me sqarime terciare dhe nuk merren masa për korrigjimin e kësaj praktike dhe ofrimin e kushteve të barabarta për punësim, atëherë mund të përfundojmë se kjo ministri nuk është pjesë e reformave, porse është e angazhuar në vazhdimin e diskriminimit.