Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar demonstratat studentore të 11 marsit të vitit 1981, me një status në llogarinë e tij në Facebook, duke e cilësuar këtë ngjarje historike si hapin e parë drejt çlirimit, njofton Klan Kosova.

“Demonstratat e 1981 e kthyen Kosovën me fytyrë nga vetëvendosja popullore e nga Shqipëria, i dhanë vrull dhe energji lëvizjeve të pandërprera dhe organizimeve ilegale e legale që punonin për Republikën e Kosovës, për liri e barazi kombëtare, për drejtësi e progres shoqëror. Kështu ato u bënë hapi i parë në rrugën e gjatë e të dhimbshme, por plot krenari, që solli rrëzimin e ish-Jugosllavisë dhe çlirimin e Kosovës, në vitin 1999”, shkruan ai.

Kurti shkruan se “mbetemi të organizuar për vetëdijesimin e studentëve, punëtorëve dhe shtresave popullore, që ta vazhdojmë lëvizjen tonë për mirëqenie, për kushte dinjitoze dhe për realizim të aspiratave kombëtare”.