Ministri alternativ i Punëve të Jashtme i Greqisë Jorgos Katrugalos dhe përgjegjësi për politikë të jashtme në Demokracinë e Re opozitare Jorgos Kumucakos kanë qëndrime të ndryshme për mundësitë për zgjidhje. Kutrugalos është optimist, thotë se ekziston moment dhe qëllime të mira nga të dyja palët dhe konsideron se ka mundësi të arrihet marrëveshje, Kumucakos ndërkaq, thotë se menaxhimi i gabuar me çështjen në brendi të vendit, e ka mbyllur dritaren e mundësisë për zgjidhje.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Athina, në emisionin e mbrëmshëm “Fokus” të televizionit shtetëror grek ERT, Katrugalos dhe Kumucakos kanë folur për pozicionet e pushtetit dhe opozitës.

“Kemi linjë kombëtare nga viti 2007. Emër i përbërë që do ta dallojë Maqedoninë greke dhe historike nga vendi fqinj, të mos ketë kurrfarë çështje të lidhur me irredentizmin, marrëveshje që do të jetë e plotë dhe të ketë karakteristika të qëndrueshme. Ne për herë të parë shtuam edhe një garanci shtesë, diçka që deri më tani nuk e kanë vënë qeveritë e tjera, ndryshim të Kushtetutës që të sigurohen karakteristika kushtetuese”, sqaroi ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë.

Ai theksoi se ekziston moment i njëjtë si edhe qëllimet e mirea edhe nga të dyja palët, si dhe dritarja e mundësisë, dhe shtoi se nuk mundet me siguritet të thuhet nëse do të arrihet marrëveshje, por tha se negociatat shkojnë përpara.

Në pyetjen, sa është e mundshme zgjidhja e kontestit me emrin, Katrugalos konsideron se është aq e mundshme, që do të arrijë në Parlament.

“Nëse sjellim zgjidhje do t’i ketë karakteristikat që i thamë. Do të ketë zgjidhje: për emrin, për Kushtetutën, do të jetë erga omnes dhe do të jetë e përhershme”, sqaroi Katrugalos, duke shtuar se nëse arrihet një marrëveshje e këtillë, atëherë nuk do ta sjellë në një situatë të pakëndshme partnerit e koalicionit në Qeveri, Grekët e Pavarur.

Ministri alternativ grek i Punëve të Jashtme, sqaroi se deklarata e kryeministrit të Maqedonisë për Kushtetutën greke, në Greqi, ishte transmetuar dhe interpretuar gabimisht dhe, sepse “Zaevi tha të shohim çfarë thotë Kushtetuta greke, dhe ne ta bëjmë të njëjtën”.

Përgjegjësi për politikën e jashtme në Demokracinë e Re opozitare, Jorgos Kumucakos, tha se kontesti me emrin, si dhe çdo çështje e madhe diplomatike ka dy dimensione – aspekti i jashtëm, gjegjësisht çfarë po ndodh në fushën diplomatike dhe dimensionin e brendshëm, gjegjësisht në brendi të vendit.

Në emisionin e televizionit shtetëror grek ERT, Kumucakos tha se nga takimi që e ka pasur me shefin e diplomacisë së Maqedonisë në suaza të Konferencës për Siguri në Munih, ka marrë përshtypje se “punët janë vështirësuar shumë në krahasim me atë si ishin në fillim”.