Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev sot u takua me Anka Joana Joanesku, drejtoreshë e zyrës së Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim (BERZH) për Maqedoninë dhe Kosovën dhe Frenklin Stivs, këshilltar i lartë në kuadër të Nismës për Klimë Investuese dhe Zhvillim të Mirë (ICGI) që e zbaton BERZH.

“Agjenda reformuese dhe realizimi më i madh i investimeve kapitale janë prioritete të larta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për vitin 2018. Do t’i shqyrtojmë të gjitha aspektet e mundshme dhe do ta intensifikojmë bashkëpunimin me BERZH në drejtim të realizimit të këtyre qëllimeve”, ka thënë kryeministri Zaev në takimin me përfaqësuesit e BERZH, kumtoi pres shërbimi qeveritar.

Në takim janë këmbyer mendime për trendet e reja pozitive për të cilat ekonomia në Republikën e Maqedonisë u stabilizua, për pritjet e ardhshme në planin ekonomik, si dhe për sfera të bashkëpunimit në të cilat BERZH mund të kontribuojë me ndihmën dhe mbështetjen e saj përmes projekteve që i zbaton në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesit e BERZH, siç thuhet në kumtesë, i prezentuan mundësitë për bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë në kuadër të Nismave për klimë investuese dhe menaxhim të mirë që  ka të bëjë me disa aspekte të rëndësishme siç janë promovimi i dialogut midis sektorit publik dhe privat, projekte për rritjen e konkurrencës, projekte të cilat kanë të bëjnë me mbikëqyrjen inspektuese dhe kontrollin.

Lidhur me agjendën reformuese që e zbaton Qeveria, përfaqësuesit e BERZH-it shprehën mbështetje të fuqishme për realizimin e proceseve, thuhet në kumtesë.

Në takim është biseduar edhe për reformën në administratën publike, për përforcimin e kapaciteteve të komunave, për shkallën e realizimit të investimeve kapitale dhe rëndësinë e tyre për përshpejtimin e rritjes ekonomike si edhe për masat e mbështetjes së Planit për rritje ekonomike  të cilat pritet të sjellin investime të reja dhe rritje të produktivitetit dhe konkurrencës.