Andi Bushati

Ish komandantet e UÇK-së që sot drejtojnë Kosovën, kanë marrë mbi supe me një akt të vetëm, etiketën e vrasësve të paskrupullt, të cilën kërkojnë t’ua ngjisin me ngulm ish armiqtë e betejës së dy dekadave më parë. Vendimi i tyre për të çuar drejt ferrit gjashtë qytetarë turq, të shpallur pa prova dhe fakte si terroristë nga rregjimi despotik i Erdoganit, është një krim i paskrupullt, cinik dhe vrastar.

Shumë kolgë të mij në Prishtinë dhe në Tiranë e kanë dëshmuar tani me fakte dhe argumente paligjshmërinë e kësaj vendimmarjeje, shkeljen e kushtetutës së Kosovës dhe përdhosjen e konventave ndërkombëtare.

Por, ajo që mua më më shqetëson më shumë në këtë rast, nuk është mosrespekti për ligjin ndaj të cilit pothuajse jemi bërë imunë në këto anë, por psiqika kriminale e këtij akti.

Sepse ata që kanë vendosur të ulin poturet përballë kërkesës absurde të Erdoganit, përveçse shtetarë të detyruar dyfish të zbatojë rregullat e vendit të tyre, janë njëkohësisht edhe qenje njerzore, qytetarë,  familjarë.

Dhe si të tillë ata kanë qenë të ndërgjegjshëm që po kryenin një krim. Ata e kanë ditur se mësuesit që po deportonin drejt Anadollit, nuk do të kishin aty, as një proces të ndershëm, as një gjykim të drejtë, as rregulla demokratike loje.

Ata kanë qenë të vetëdijshëm se po i dërgonin drejt një burgimi kapital, se po i ndanin përfundimisht nga familjet e tyre, duke i rrezervuar fatin e mijra gazetarëve, intelektualëve dhe pedagogëve, që një regjim i çmenduar po i mban nën një terror të vazhdueshëm, që prej grushtit ushtarak të shtetit të verës së 2015-ës.

Por, megjithëse i dinin të gjitha këto, ata e lejuan rrëmbimin, i dërguan me kokën në thes drejt një avioni fantazëm dhe firmosën me përbuzje të ftohtë fatin e tyre të ardhshëm.

Pikërisht ky cinizëm, ky mosrespekt për dinjitetin njerzor, kjo gjakftohtësi në shkatërrimin e jetëve, parelel me debatin për mosrespektimin e ligjit në Kosovë, hap një diskutim ndoshta dhe më të madh, që ka të bëjë me profilin kriminal të atyre që drejtojnë sot këtë shtet.

Prej kohësh nga Serbia, nga Dik Marti, nga hetuesit ndërkombëtarë, komandantët që kanë pushtetin në Prishtinë janë akuzuar për krime mostruoze, për vrasje dhe përdhunime serbësh, për ushtrimin e të njëjtave praktika edhe ndaj bashkatdhetarëve të tyre, për grabitje pronash, trafik organesh dhe në fund edhe për zhdukje dëshmitarësh.

Disa nga këto akuza nuk janë vërtetuar kurrë në gjykata, disa të tjera ne i kemi përqeshur, ashtu si çdokush mund të tallet me pandehmat që i kapërcejnë kufijtë e imagjinatës, ndërsa disa të tjera, ne thjeshtë i kemi shpërfillur, me argumentin se ata që kanë dalë të rrezikojnë jetën për liri, nuk mund të jenë keqbërës kaq banalë.

Por, fatkeqësisht, në këtë debat që prej vitesh qëndron pezull, sot peshorja ka anuar në dëm të ish komandantëve. Ngjarja e fundit, shkatërrimi cinik i jetëve të atyre mësuesve që janë përpjekur t’u edukojnë edhe fëmijët, nuk ndryshon nw thelb nga gjakftohtwsia me tw cilwn u kryen krimet e fundshekullit tw shkuar.

Pas kësaj që ndodhi gjithëkush mund të ngrejë një pyetje të ligjshme: Pse kur janë në gjendje të veprojnë si banditë nën petkun e shtetarit, nuk e paskan bërë më keq edhe nën uniformën e luftëtarit ?

Pse kur nuk paskan skrupuj të shkatërrojnë jetë politikisht, paskan hezituar t’a bëjnë këtë edhe privatisht?

Këto janë dilemat që ngrihen pas aktit kriminal të dorëzimit të gjashtë qytetarëve turq në duart e një regjimi që nuk do të tregojë pikë mëshire ndaj tyre.

Dhe duam apo nuk duam ne, ato i njësojnë liderët e sotëm të Kosovës me identikitin kriminal që është skicuar për ta në Berograd: si vrasës cinikë, krejt indiferentë ndaj të drejtave njerzore dhe tërësisht mospërfillës ndaj jetëve të pafajshme.

Ironia është se për të vërtetuar këtë u desh një lakmues i veçantë si vëllau ynë musliman, Rexhep Taip Erdogan.

Loading...
  ga('create', 'UA-63475902-1', 'auto', {'name': 'newTracker'});  // New tracker.   ga('send', 'pageview');   ga('newTracker.send', 'pageview'); // Send page view for new tracker.