Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Besa Baftiu ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i Kryetares së Qendrës të LVV në Gjilan dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie.

Sikurse edhe grupi tjetër i të dorëhequrve nga VV edhe Baftiu, këtë vendim e ka arsyetuar në mungesë të frymës demokratike në parti.

“Gjatë kësaj periudhe, në vend që të kontribuohej për zgjidhjen e problemit dhe për unifikim, individët e njëjtë me mendësi përçarëse kontribuan për të kundërtën. Në vend që të hapej debati për të ardhmen e organizatës, përpjekja për ta mbytur kritikën dhe reflektimin e domosdoshëm, bashkë me gjuhën akuzuese e me tendenca dashakeqe u rritën. Kësisoj, gjatë kësaj kohe kemi parë fushatë të egër linçuese ndaj gjithë atyre që shprehnin pakënaqësi me gjendjen e krijuar, duke dëshmuar se brenda organizatës po i hapej rrugë një mendësie të rrezikshme totalitare, e cila nuk duron kritikën dhe mendimin ndryshe. Personalisht, jam munduar që të japë kontribut për aq sa kam pasur hapësirë për të mos lejuar një gjë të tillë, duke dashur të ruhen vlerat që i kemi promovuar në vazhdimësi, por tashmë një gjë e tillë më duket e pamundur. Sidomos pasi që përgjatë kësaj kohe, nuk kam parë vullnet as tek Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, që ta parandalojë këtë lloj mendësie që i kanosej organizatës dhe e cila duket se po zë vend brenda saj”, tha ajo, në një postim në Facebook.

Përplasjet në Vetëvendosje, dolën në sipërfaqe pas publikimit të bisedave private mes disa deputetëve të këtij subjekti politik, ku kishte edhe shprehje fyese në drejtuar Albin Kurtit.

Në ditën kur kishte dhënë dorëheqje, kryetari i deritashëm i Vetëvendosjes, Visar Ymeri kishte potencuar përçarjet e vitit të fundit në këtë lëvizje dhe, siç ishte shprehur ai, kishte bërë “të pamundurën për të ndikuar në ndaljen e tyre”.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004.