Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë shpërndarjen e dy autoambulancave, donacion i MSh-së, për Janjevën dhe Reçanin.

Gjatë dorëzimit të autoambulancës në Janjevë, së bashku me ambasadoren e Kroacisë në Republikën e Kosovës, Marija Kapitanoviq, ministri Ismaili ka thënë se reformat në shëndetësi do të prekin të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie apo vendbanimi. “Reforma jonë në shëndetësi do të prekë të gjitha komunat dhe të gjithë qytetarët pa dallim. Kosova ka bërë rrugë të madhe në respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe këtë do ta bëjë edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Çdo ditë ngapak, ne do ta realizojmë misionin tonë që të zbusim varfërimin e qytetarëve si pasojë e shpenzimeve për shërbime mjekësore”, ka thënë ministri Ismaili.

Kurse, ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, ka thënë se vullneti i ministrit të Shëndetësisë për të ndihmuar edhe komunitetet joshqiptare në Kosovë, është për t’u vlerësuar dhe përshëndetur. “Është shumë i rëndësishëm vullneti për të përmirësuar edhe kujdesin shëndetësor për komunitetet joshqiptare në Kosovë. Tani për qytetarët e Janjevës do të jetë shumë e lehtë qasja në shërbimet e nevojshme shëndetësore kur ata kanë nevojë”, ka thënë ajo. Më pas, ministri Ismaili ia ka dorëzuar çelësat e një autoambulance të re edhe Qendrës së Mjekësisë Familjare në Reçan.

Nga aty, ministri Ismaili përsëriti përkushtimin e tij që rruga që ka bërë Kosova në respektimin e të drejtave të komuniteteve joshqiptare, të shihet edhe në shërbimet shëndetësore.

Image