Suzana Ejupi

Jam lodhur duke dëgjuar, parë dhe lexuar nëpër rrjetet sociale, se si bota mashkullore në vazhdimësi e komplekson gjininë femërore dhe në anën tjetër, vetë bota femërore, pa pushim e komplekson llojin e vet duke u preokupuar me çështjen se si duhet të duket ajo, pra, deri ku duhet të mbulohet dhe deri ku nuk duhet të zbulohet. O ju femra, mjaft u preokupuat me atë se si duhet të dukeni!

Mjafton të zgjedhni një mesatare në veshje, dhe me aq ta përmbyllni këtë kapitull të stërkonsumuar ndër shekuj dhe të servuar nga tendencat maskuliste ose nga mentaliteti shtypës, nënvlerësues dhe dominues kundrejt gjinisë femërore në shoqëri.

Pse duhet në vazhdimësi debati femëror të zhvillohet dhe kufizohet rreth asaj se si duhet ajo të vishet dhe jo rreth asaj se si duhet ajo të depërtojë në celulat vendimmarrëse shtetërore, për të sigurur një pozitë të levërdishme shoqërore? Edhe atë, jo për t’u lazdruar dhe plotësuar egon; as për të koketuar në skenën politike dhe mediatike; ose për të keqpërdor në llogari të taksave të popullit dhe buxhetit publik, por duke u lançuar si një potencial solid, me qëllim që të bëjë ndryshimin e nevojshëm dhe konkret në dobi të shoqërisë, duke e zgjeruar fushëveprimin e gjinisë femërore në mënyrë të barabartë me atë mashkullore.

A nuk e vëreni se bota mashkullore për të na menjanuar dhe anashkaluar në pozitat ku merren vendime për fatet tona, na kanë ofruar të preokupohemi me gjëra anësore, me raste dhe banale, me qëllim që të krijojnë një fushëveprim pa prezencën tonë, ku ata do të mundin lirshëm të operojnë në aspektet më vitale shoqërore, edhe atë, pa ndjerë presionin e mendimit tonë kritik dhe krijues. Na kanë imponuar një mendësi të kufizuar, që funksionon vetëm në nivel të roleve tradicionale femërore dhe me këtë, na kanë zbehur ndjeshmërinë dhe na kanë mohuar pjesëmarrjen në sektorët ku është pushteti dhe merren vendime, qoftë në nivel lokal ose shtetëror.

Ky është realiteti në Maqedoni, për të cilin flasin statistikat dhe përqindjet, gjithandej në institucionet shtetërore, ku dukshëm vërehet pjesëmarrja e ulët e femrave në pozita udhëheqëse, dhe kjo përbën një dukuri alarmuese.

Ndryshe thënë, kjo përqindje e ulët flet hapur se meshkujt në rajonin tonë nuk besojnë në kapacitetet e vajzave, motrave, grave dhe nënave të tyre. Aq më shumë, në diskutimet e përditshme mes dy gjinive, vërehen dhe janë të identifikueshme paragjykimet mashkullore dhe frika që ata kanë se po t’i japin pushtet dhe kompetenca një gruaje, ajo do ta ngatërrojë ecurinë shoqërore dhe me këtë do të dëmtojë zhvillimin dhe mirëqenien e mëtejshme shoqërore.

Në nënvetëdijen e këtij grupi shoqëror ushqehet një paranojë e pabazë kundrejt gjinisë femërore dhe kjo frymë regresive përhapet gjithandej nëpër institucionet tona dhe me këtë zvogëlohen dukshëm mundësitë e veprimit për femrat në pozita udhëheqëse institucionale, pra, mundësitë ku fjala e saj do të ketë peshë, do të merret parasysh dhe do të bëjë ndryshimin e duhur.

Në fund, është më se e nevojshme që femrat në Maqedoni duhet të bëjnë edhe më tej përpjekje për të ndërtuar kapacitete të mjaftueshme, por që edhe meshkujt duhet të trajtohen, për ta tejkaluar frikën nga femrat e pushtetshme, është dyfish më e nevojshme.