Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit ka njoftuar për Gazetën Express se në vitin 2016 në Kosovë janë asgjësuar 20 mijë kilogramë mish i prishur, importuar nga mishtorja e Belgjikës “VEVIBA”. Zëdhënësi i kësaj agjencie Lamir Thaqi, tha se ky rast ishte zbuluar në Kosovë dhe e njëjta firmë nuk importon më në vendin tonë.

Gjatë ditës së sotme mediat raportuan për cilësinë e mishit që importohej nga Belgjika, këto raportime bën me dije se mishi ishte i prishur. Dhe bëhej fjalë për rastin e vitit 2016.

“Nuk janë të vërteta disa të dhëna, rasti ka ndodhur në 2016, nuk ka hyrë më mishi i kësaj firme në Kosovë. Sipas verifikimit të vitit 2016, në Kosovë është agjësuar ngarkesesa prej 20 mijë kilogramëve mish”, tha Thaqi për Express, të shtunën.

Këto informata janë shfaqur gjatë ditës së sotme nëpër media. Sipas këtyre mediave, në Belgjikë ka shpërthyer një skandal në lidhje me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, pas zbulimit se firma “VEVIBA”, një nga furnizuesit më të rëndësishëm, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit sikurse edhe me etiketat për afatin e përdorimit.

Për herë të parë për mishin e dyshimtë u dëgjua në Kosovë më 2016, kur një sipërmarrës kosovar i paralajmëroi autoritetet belge se nga kompania VEVIBA kishte marrë një dërgesë me mish të prishur. Për pothuajse dy vjet, kompania ka funksionuar e papenguar deri para pak ditësh kur skandali nisi të trajtohej seriozisht, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbokroate .

Ky lajm po qarkullon me të madhe në të gjitha mediat belge, pasi që kompania VEVIBA ka furnizuar shumicën e supermarketeve më të njohura në vend.

Mediat kanë intervistuar punëtorët e kompanisë të cilët tregojnë për kushte të këqija higjienike të punës sikurse edhe për manipulime të qëllimshme nga ana e pronarëve të kompanisë.