Nga Vebi Bexheti

Mungesa e vullnetit politik e partive të koalicionit qeverisës, ose thënë ndryshe mospasja takat e kësaj shumice parlamentare që edhe pas dy votimeve në Parlament, të dorëzohen para inatit të Ivanovit, shqiptarët i ka sjell para një dileme të madhe nëse do jetësohet ndonjëherë ky ligj, apo do mbetet vetëm në letër për të pritur ,,kohëra më të mira”.

Kjo ngecje që para së gjithash vjen si rezultat i politikës joparimore të partisë shqiptare në pushtet dhe gëlltitjes së fjalëve të rrahagjoksave të saj, se ligji do shpallet në Gazetën zyrtare edhe pa nënshkrimin e Ivanovit, është paralajmëruese se ky ligj edhe gjatë kohë do jetë kafshatë që s’kapërdihet aq lehtë. Kjo zhagitje në pafundësi, që e rrit skepticizmin te shqiptarët të cilët ende nuk e shohin dritën në fund të tunelit, si duket mund të jetë edhe si rezultat i ndonjë marrëveshjeje tinëzare të LSDM-ës me VMRO-në opozitare.

Vet Kryetari i Parlamentit, Z.Talat Xhaferi, me gjithë qëdrimet dinitoze dhe parimore në mbrojtje të ligjit në fjalë, herë -herë u gjend edhe para dilemave se si duhet të veprojë për të dalë nga ky ,,qorrsokak”.

Tërë këto dilema, si rezultat edhe i paqartësisë, mosinterpretimit të mirëfilltë të ligjeve, rregullores së punës së Parlamentit, Kushtetutës dhe boshllëqeve eventuale të këtyre akteve ligjore e nënligjore, apo edhe i mungesës së vullnetit politik të BDI-së , që në rrethanat e krijuara, nuk e ka komoditetin për ndonjë tronditje mes koalicionit, çdo ditë e më tepër e zbehin këtë ligj duke e larguar edhe më shumë nga jetësimi i tij.

Për mosrealizimin e këtij vullneti politik të shqiptarëve, ose për zhagitjen e tij, që përmes këtij ligji ta avansojë në masë të madhe përdorimin e gjuhës shqipe, por jo edhe ta barazojë ate me maqedonishten si zyrtare, fajtorin duhet kërkuar brenda koalicionit qeveritar, e jo edhe nga pjesa opozitare e partive shqiptare, të cilat gjithsesi e kanë meritën më të madhe për këmbëngulësinë që me këtë ligj të kushtëzohej formimi i Qeverisë.

Shpallja e parakohshme e fitores së madhe e BDI-së se ky ligj e fitoi betejën përfundimisht, tani më, këtë forcë politike e ka vënë para një sprove të re dhe sikleti jo edhe aq të lehtë. Rezistenca e VMRO-së për mosjetësimin e këtij ligji pëmes veprimeve të drejtpërdrejta dhe organizimit të protestave dhe manipulimit të një turme qytetarësh, në mesin e të cilëve edhe shumë të ashtuquajtur intelektualë, madje edhe akademikë, gjithsesi se ka gisht në këtë zhagitje të pafund, edhe pse Qeveria dhe shumica parlamentare e minimizojnë këtë ndikim.

Një kategori tjetër shqiptarësh që çështjen e kanalizimit dhe të një mirëqenieje të premtuar në fushatën elektorale të LSDM-ës , e ndërruan me kërkesat jetësore të shqiptarëve, siç ishte edhe Ligji i gjuhës shqipe, tani janë gjithashtu në siklet të madh sepse çdo ditë e më tepër u zbehet arsyetimi se pse u radhitën në këtë parti.

Në pozitë jo më të mirë, ndodhet edhe lideri Zaev i cili duke respektuar marrëveshjen paraprake, për Ligjin e gjuhëve, si kërkesë kyçe për formimin e qeverise, ka gjasa të humb simpatinë nga elektorati maqedonas, ashtu siç mund ta rrezikojë koalicionin qeveritar, zhagitja e stërzgjatur e jetësimit të ligjit të votuar dy herë në Parlamentin e Maqedonisë.

Loading...