Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës  Valmir Aziri realizoi takim me drejtorët e dy institucioneve kulturore të Tetovës, Galerisë së Arteve Pamore dhe të Teatrit.

Aziri, siç njoftohet në kumtesë, ka  nënvizuar që Ministria e Kulturës ka ofruar mbështetje financiare për këta dy institucione duke përmendur projektet e miratuara për këtë vit dhe zyrtarisht dorëzoi vendimet për mjetet e ndara nga programi vjetor 2018 i Ministrisë së Kulturës.

Aziri ka potencuar që për herë të parë institucioneve shqiptare u ndahet buxhet i këtillë, që pasqyron shtyllë të fuqishme për kultivimin e kulturës shqiptare.

“Mjetet të cilat i kemi dedikuar për institucionet shqiptare janë mjete të cilat do të jenë një bazament i fuqishëm për kultivimin e kulturës shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Është hera e parë që insitucionet shqiptare do të vjelin mjete buxhetore të dyfishuara e diku edhe të trefishuara” tha Aziri.

Drejtori i Galerisë së Arteve Pamore,  Afrim Ziberi potencoi që buxheti i këtij viti është rritur për katër herë më tepër në krahasim me vitet paraprake.

“Ky buxhet është buxheti më i madh që është ndarë ndonjëherë I.N. Galerisë së Arteve Pamore në Tetovë dhe kjo është falë angazhimit korrekt që ka sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Maqedonisë.Valmir Aziri. Këtë vit janë ndarë mjete financiare për projektet e ekspozitave që do realizohen gjatë vitit 2018, për Koloninë Artistike, për projektet, për investimet, renovimin e oborrit të Galerisë dhe buxheti total për këtë vit është katërfish më i lartë nga vitet paraprake”, ka theksuar Ziberi.

Më tej, drejtori i Teatrit të Tetovës Arsim Fazlija shprehi mirënjohje dhe falënderoi sekretarin Aziri për të gjitha kontributet dhe arritjet e Teatrit gjatë këtij viti.

“Brenda një viti sekretari Aziri ka arritur t’i eliminojë gjitha problemet me të cilat Teatri i Tetovës është ballafaquar vite me radhë. U bë rritja e buxhetit dhe u vendos drejtori prej brenda teatrit dhe kjo ka qenë një kërkesë e kahmotshme e aktorëve të teatrit pasi ne mendojmë se vetëm një aktori mund ti dhimbset sa duhet ky Institucion si dhe duke vazhduar me eliminimin e problemeve të nxemjes së sallës e shumë të tjera që janë realizuar falë buxhetit dukshëm më të madh se viteve të kaluara ndërsa nga unë pritet që këto të cilat i ka përmbushur sekretari Aziri t’i realizojë më së miri”, ka nënvizuar Fazlija.

Për më tepër, Galeria e Arteve Pamore në vitin 2017 kishte një buxhet prej 1,200,000 denarë teksa tashmë gjatë 2018-it do të ketë në dispozicion 4,600,000 denarë. Nga shuma e fundit, 2 milionë denarë do të ndahen për punë infrastrukturore, teksa pjesa tjetër do të alokohen për Koloninë artistike dhe aktivitetet e tjera që do të realizohen brenda Galerisë.

Teatrit të Tetovës në vitin 2018 do të u takojnë 250,000,000 denarë për investime infrastrukturore teksa pritshmëritë janë që përfundimi i punimeve të fazës së parë të Teatrit do të jetë poashtu gjatë këtij viti.

Mes tjerash, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë veç më ka kaluar informacioni që në 2019-in të vijojnë ndërtimet në pjesën e brendshme infrastrukturore të Teatrit me vlerë prej 26 milionë euro. Premiera e parë e teatrit pritet të shfaqet në vitin 2020.