Rreth 180 persona të personelit ushtarak janë dërguar në Salisbury të Britanisë së Madhe, për të ndihmuar në hetimin e tentativës për vrasjen e ish-spiunit rus dhe vajzës së tij.

Personeli ushtarak, i përzgjedhur kryesisht nga ushtria, por edhe nga Marina Mbretërore dhe Forcat Ajrore, përbëhet nga ekspertë në luftën kimike dhe dezinfektimin nga substancat kontaminuese.

Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia u gjetën pa ndjenja pasditen e së dielës, pasi u ekspozuan ndaj një agjenti nervor.

Sekretarja e Brendshme britanike, Amber Rudd e përshkroi sulmin si “mizor”.

Mes të dërguarve ushtarakë përfshihen edhe instruktorë nga Qendra për Mbrojtje Kimike, Biologjike, Radiologjike dhe Bërthamore, si dhe një grup prej 29 vetësh nga grupi i artilerive shpërthyese, ekspertë në çaktivizimin e bombave.

Ushtria dërgoi gjithashtu edhe 18 automjete.

Policia Metropolitane njoftoi se njësia antiterrorizëm kërkoi asistencën ushtarake “për të lëvizur një numër mjetesh dhe objektesh të tjera nga vendngjarja”, përfshi ambulancat që mund të jenë kontaminuar teksa asistuan viktimat.

Publiku nuk duhet të alarmohet, pasi nuk ka prova që të sugjerojnë se rreziku ekziston edhe për mbarë publikun, të paktën përkohësisht, shtoi më tej policia.

Valery Morozov, një shtetas rus që jeton në ekzil, tha për “BBC”-në se Skripali po punonte mbi sigurinë nga sulmet kibernetike. Ish-koloneli i sigurisë në ushtrinë ruse dhe vajza e tij mbeten në gjendje kritike për jetën në Spitalin Rajonal të Salisburyt.

Ndërkohë, oficeri Nick Bailey, që u ndodh në vendngjarje të dielën, paraqitet në gjendje të ndërgjegjshme, por ka “tepër ankth” për shkak se është ekspozuar ndaj agjentit nervor. Drejtues të spitalit thonë se Bailey është në gjendje serioze, por të qëndrueshme.