Revista amerikane Mother Jones tregonte se si paratë që kishin burime nga Rusia shkonin në një rrjet kompanish si pagesë për lobistët që ndihmonin Partine Demokratike të Shqipërisë.

Mbas disa ditësh debati reagoi për këtë çështje edhe kryeministri Rama, i cili shkruan në Facebook, mesa duket për ta kthyer në një temë të madhe politike duke nënkuptuar që opozita mund të jetë përdorur për interesa ruse për të prishur imazhin e Shqipërisë.

“Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet. Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysmë milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht!”, shkruan Rama.

Lulzim Basha prej dy ditësh i ka mohuar akuzat e revistës amerikane duke pretenduar që jo vetëm që nuk ka shkelje ligjore por dhe që s’ka asnjë lidhje me financim e ruse.

“PD ka deklaruar atë që ka paguar dhe ka paguar atë që ka deklaruar”, është shprehur Basha.

Basha tha se nuk e njihte kompaninë Biniatta Trade, e cila nga revista amerikane Mother Jones përmendej si kishte nxjerrë paratë që më pas shkonin për lobistin amerikan Nik Muzin që do ndihmonte Partinë Demokratike.

Por sipas Kryeministrit Rama, ky qëndrim i kreut të opozitës, bie ndesh me çfarë ai vet ka deklaruar dhjetorin e kaluar, në të njëjtën studio, po për të njëjtën çështje.

Kryeministrit Rama, thotë se kjo histori nuk mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund nëse ka pasur apo jo interferenca malinje forcash të huaja, për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cenimit të imazhit të Shqipërisë, me qëllim pengimin e integrimit evropian dhe destabilizimit të vendit.

Sallata ruse e financimit të PD po bëhet argumenti bazë që mazhoranca godet politikisht opozitën.