Rasti me 13-vjeçaren nën kujdesin e shtëpisë “25 Maji” e cila i është nënshtruar abortit pasi mbeti shtatzënë pas abuzimit seksual tanimë një javë është në fokusin e opinionit.

Prokuroria Themelore Publike Shkup dje njoftoi se ka formuar lëndë pas njoftimeve me shkrim të dorëzuara nga  MPB-ja, lidhur me rastin e minorenes së abuzuar nga “25 Maji” dhe se po kontrollohen informatat nga kallëzimet dhe për organizimin dhe punën në institucion. Siç informojnë, është hapur dhe lëndë pas kallëzimit të dorëzuar penal nga ana e prindërve të vajzës, përmes avokatit, kundër personave të punësuar në Institucionin publik për Kujdesin e Fëmijëve me Probleme Edukativo-Arsimore dhe Sjellje Problematike – Shkup, ndërsa për vepra të kryera penale – “keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit” dhe “punë e pavetëdijshme në shërbim” nga Kodi Penal.

Prokuroria Themelore Publike Veles, madje, po vepron për lëndë për të cilën tanimë në opinion u publikuan hollësi. Pas marrjes së njoftimit, Prokuroria menjëherë ka dhënë Urdhër për kontroll trupor nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Të hënën deri te Prokuroria nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbërritur kallëzim penal kundër një autori konkret.

Nga prokuroria theksojnë se informatat të cilat mund të shpërndahen për momentin janë vetëm ato të cilat nuk do ta rrezikojnë fshehtësinë e procedurës.

Dje gjithashtu u zbuluan dy raste të reja të shtatzënisë tek minorene, bonjake të Shtëpisë së Fëmijëve me Probleme Edukativo-Sociale “25 Maji” nga Shkupi.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale doli me qëndrim se nuk ka keqpërdorim ose eksploatim seksual në të dy rastet e reja të shtatzënisë tek minorenet. Ato kanë mbetur shtatzënë pasi vullnetarisht kanë pasur marrëdhënie me bonjakë nga institucioni me të cilët kanë qenë në lidhje, informojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Njëra minorene, e cila ishte 15 vjeçare e ka ndërprerë shtatzëninë pasi që ka dhënë pëlqim edhe ajo edhe kujdestari dhe për këtë ka qenë e informuar edhe nëna e saj. Minorenia e dytë, e cila ka 17 vjet, ka vendosur ta mbajë fëmijën.

Alarmi për ndodhitë në institucionin “25 Maji” u ngrit javën e kaluar kur organizata joqeveritare Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (QEDR) njoftoi se bonjakja 13-vjeçare e Shtëpisë i është nënshtruar abortit pasi ka mbetur shtatzënë pas abuzimit seksual.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftoi se dyshon se bëhet fjalë për eksploatim seksual të minorenes dhe kërkoi që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike ta zbardhin plotësisht rastin.

MPB të hënën njoftoi se kundër një personi tanimë kanë dorëzuar kallëzim penal për sulm gjinor ndaj një fëmije,  i cili ka pranuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me vajzën 13-vjeçare vitin e kaluar në nëntor, kur pa vetëdije është dërguar në spitalin e përgjithshëm në Veles. Dje për shkaqe morale dha dorëheqje drejtori i Shtëpisë “25 Maji” Stevço Sokollovski.