Presidenti Donald Trump akuzoi përsëri të martën paraardhësin e tij Barak Obama se nuk bëri sa duhet për të parandaluar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Në komentet e sotme në Twitter, zoti Trump shkruante se Barack Obama mendoi se Hillary Clinton do të fitonte në zgjedhje prandaj ai nuk donte të turbullonte ujrat. Por, – shkruan Presidenti Trump, – kur zgjedhjet i fitoi ai, Donald Trumpi, “e gjithë loja ndryshoi dhe demokratët u kapën te preteksti i ndërhyrjes së Rusisë.”

Ish-Presidenti Obama ka thënë se nuk ka qendruar indiferent ndaj ndërhyrjes ruse. Në një rast ai ka thënë se i kishte deklaruar presidentit rus të hiqte dorë nga kjo ndërhyrje.

Ndërkaq, ndihmësit e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller ngritën një akuzë të re kundër një personi që ata thonë se ka gënjyer hetuesit federalë në hetimin për Rusinë.

Në një dokument gjykate të paraqitur sot në Uashington, personi i quajtur Alex Van Der Zwaan akuzohet për deklarata të rreme.

Në dosjen e gjykatës thuhet se Zwaan gënjeu hetuesit për lidhjet e tij me Rick Gates, ish-ndihmës i fushatës Trump, ndaj të cilit janë ngritur akuza se ka komplotuar për të pastruar para dhe se ka vepruar si agjent i huaj i paregjistruar. /VoA