Gazeta prestigjoze “The Economist” i ka kushtuar një artikull çështjes komplekse të kufijve në Ballkan.

Ndër të tjera përmendet përpjekja e serbëve për të shkëmbyer territore me palën kosovare, pasi sipas saj shtetet shumëetnike në rajon kanë dështuar.

“The Economist”

10 vjet më parë Kosova deklaronte pavarësinë nga Serbia. Shqiptarët, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë e festuan këtë ditë. Por jo serbët, shumica e të cilëve jetojnë në enklava.

Serbia nuk e njeh Kosovën, që dikur ishte provinca e saj jugore, dhe serbët e Kosovës e cilësojnë ende sot veten si qytetarë të Serbisë. Një situatë tipike për Ballkanin, ku kufijtë janë një rrëmuje e vërtetë.

Kësisoj, ka serbë që jetojnë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, ku kanë republikën e tyre (Republika Srpska), shqiptarë dhe boshnjakë (myslimanë) që jetojnë në Serbi, dhe grekë që jetojnë në Shqipëri. Kohët e fundit autoritetet serbe propozuan mundësinë e shkëmbimit të territoreve me homologët e tyre shqiptarë të Kosovës.

A është kjo një ide e arsyeshme?

Në vitin1923, Greqia dhe Turqia ranë dakord të shkëmbenin plot 2 milionë njerëz. Kryesisht qytetarë ortodoksë grekëfolës të Turqisë u dërguan në Greqi dhe myslimanët nga Greqia u dërguan në Turqi. Ishte një zhvendosje brutale, por që prej asaj kohe, mbrojtësit e saj, Greqia dhe Turqia, nuk kanë luftuar mes veti.

I vetmi vend për të cilin grekët dhe turkët janë përleshur është Qiproja, popullsia e të cilës vijon të jetë e përzierë. Kjo ide ka frymëzuar nacionalistët në Ballkanin perëndimor. Mes viteve 1918 dhe 1950, shumë myslimanë u inkurajuan të largoheshin nga Jugosllavia drejt Turqisë. Por gjatë rënies së Jugosllavisë në vitet 1990 ajo vijonte të kishte ende popullsi të përziera.