Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Shahriar Alam.

Kreu i shtetit i shprehu falënderimin ministrit Alam për pjesëmarrje në festimet e dhjetëvjetorit të pavarësisë.

“U jemi falënderues për njohjen e shtetit të Kosovës. Njohja e juaj ka ardhur në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën. Do të jemi gjithmonë mirënjohës”, theksoi i pari i vendit, derisa kërkoi që bashkëpunimi ndërmjet të të dyja vendeve të thellohet edhe më shumë.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Shahriar Alam, ka siguruar presidentin Thaçi se bashkëpunimi ndërmjet Bangladeshit dhe Kosovës do të vazhdojë.
Në fund, Presidenti Thaçi kërkoi nga ministri Alam mbështetjen e Bangladeshit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.