Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për paraburgim ndaj 7 personave, të përfshirë në një përleshje të armatosur në Drenas më datën 17 shkurt të këtij viti.

Masa e paraburgimit prej 1 muaji është caktuar për të pandehurit Skender Gjeli, Halit, Shaip, Mendrit, Fadil, Arbenit dhe Lirim Topalli.

Të pandehurit Mendrit, Fadil, Arbenit dhe Lirim Topalli, sipas kësaj Gjykate, paraburgimin do ta mbajnë në klinikat mjekësore në të cilat janë hospitalizuar për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, dhe pas përmirësimit të gjendjes së tyre, “të njëjtit masën e paraburgimit do ta mbajnë në qendrën e paraburgimit të cilën do ta caktojë Drejtoria e Burgjeve”, raporton Koha.net.

“Prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Skender Gjeli, për shkak të veprës penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ si dhe kundër të pandehurve Halit Topalli, Mendrit Topalli, Fadil Topalli, Arbenit Topalli dhe Lirim Topalli, për shkak të veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje’, meqenëse janë plotësuar kushtet që kundër tyre të caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në vendim bëhet me dije se i pandehuri Mendrit Topalli gjendet në QKUK, gjegjësisht në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, dhe se i njëjti është në gjendje të rëndë shëndetësore, por ka mundur të japë deklaratën. Po ashtu, edhe gjendja shëndetësore e të pandehurit tjetër, Fadil Topalli, i cili gjendet në Klinikën Abdominale, është e rëndë dhe nuk ka mundur të japë as deklaratë.

I pandehuri Gjeli, në bazë të deklaratës dhënë organeve të drejtësisë, ka thënë se 6 personat tjerë, me mbiemrin Topalli, nuk i ka njohur fare.

“Me këta djemtë kam shkuar prej punës dhe kam dalë me ta, vuaj prej tensionit dhe kam shkuar me qëllim të marr barërat për tension pasi më ishin harxhuar. Kam dalë dhe i kam parë këta djemtë duke ardhur ndërsa unë isha duke u afruar tek kafja ‘Peshkopia’, më kanë shikuar dhe, meqë unë jam pylltar, kam menduar ‘pse po më këqyrin, mos është ndonjë palë prej punës’, dhe të gjithë ata ishin në këmbë, kanë shkuar tek kerret, i kanë ndezur kerret dhe më kanë përcjellë”, thotë Gjeli në Dëshminë e tij, ndërsa thotë të mos ketë hyrë në kafene pasi ka dyshuar në ta.

“Kur jam kthyer, kur kam dalë tek rruga për parking, këta janë afruar me veturë dhe njëra veturë i ka dhënë pak shllajf ashtu i dyti kerr, i treti dhe i katërti dhe kanë shkuar tek rrethi ku kanë bërë një xhiro ndërsa unë, kur kam dalë tek telat e shkollës për të shkuar tek barnatorja, veturën e parë e kanë zatetur në qosh të shkollës dhe më kanë zënë rrugën. Unë nuk kam pas kah të shkoj, dhe as që e kam ditë se kush janë apo nga janë dhe vetëm këtu kam kuptuar kush janë këta. Dhe, pasi që i kanë ndalur kerret, kanë dalë prej kerreve, dhe kur i kam pa katër kerre… nuk më kujtohen se çfarë kerresh kanë qenë. Kur ma kanë ndaluar rrugën dhe kanë dalë prej kerrit, e kam nxjerrë revolen për t’u mbrojtur dhe kam gjuajtur në drejtim të kerrit të parë, ndërsa tjerat kanë qenë rend dhe kam gjuajtur vetëm për toke për t’ju treguar se kam armë dhe nuk kam gjuajtur për t’u vrarë, por për t’i frikësuar që të mos më sulmojnë, ndërsa kur më kanë goditur dhe kam vërejtur se e kam kokën e lagur prej gjakut, në atë moment nuk kam parë pare prej gjakut dhe kam gjuajtur me revole por nuk e di se kah kam gjuajtur. Unë asnjëherë në jetë deri më sot nuk kam pas asgjë të keqe me ta”, ka thënë më tej Gjeli në dëshminë e tij.

Ai thotë të mos ketë pasur asnjëherë problem me ta dhe se ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tyre vetëm në momentin kur e kanë goditur atë. Gjeli po ashtu tregon se armën, të cilën e ka përdorur, e ka pa leje ndërsa thekson se e mban me vete për shkak të sigurisë meqenëse punon në terren vazhdimisht.

Ndërkaq, i pandehuri Halit Topalli, në dëshminë e tij për rastin, ka thënë se më herët disa fëmijë të familjes së tyre kanë pasur një problem të vogël në shkollë me fëmijët e familjes Gjeli.

“Atë ditë kemi dalë në Drenas, na ka përcjellë tani i pandehuri që është prezent këtu, pasi që nuk e kam njohur, ndërsa ky kishte qenë me ata djemtë që kishin pas problem me djemtë e axhës tonë dhe na është afruar ky vetëm dhe i ka lëshuar dy kerret e para ndërsa në kerrin e tretë ka tentuar t’i ndalë dhe i ka gjuajtur me revole dhe kur kemi dalë ne prej veturës, unë kam dalë dhe i kam piskatë ‘mos se na vrave, na mbyte të gjithëve’, ndërsa nuk e di se kush më ka goditur apo lënduar sepse në asnjë mënyrë nuk mund të kujtohem”, ka deklaruar i pandehuri Halit Topalli, ndërsa kur pyetet se a ka pasur diçka në dorë me të dalë nga vetura, ai deklaron: “Nuk e di, nuk më kujtohet”.

Edhe i pandehuri tjetër, Shaip Topalli, ka dhënë dëshminë e njëjtë sikurse të Halit Topallit në lidhje me rastin, ndërsa thekson se “nuk e di se kush e ka sulmuar Skenderin”.

Kurse i pandehuri Mendrit Topalli, i cili mbeti i plagosur në këtë rast, në dëshminë e tij, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit sepse, siç thotë ai, “ne atë ditë kemi dalë për të festuar Pavarësinë e Kosovës, dhe jemi nisur për të shkuar në shtëpinë e shëndetit e pastaj për në shtëpi, kur ka ardhur Skender Gjeli tek vetura ku kam qenë unë dhe më ka gjuajtur me revole”.

“Unë kam qenë i ulur mbrapa në veturë, ndërsa ai e ka hapur derën dhe më ka gjuajtur dy herë me revole. Njëherë në këmbë dhe në trup, ku më pas predha me të cilën më ka gjuajtur Skenderi në këmbën e majtë ka depërtuar në këmbën e djathtë, dhe unë deklaroj se nuk kam pasur asgjë të keqe me këtë Skenderin”, u shpreh Mendrit Topalli.

I pandehuri Arbenit Topalli, po ashtu i plagosur, ka deklaruar se atë ditë kanë dalë për të festuar Pavarësinë e Kosovës, por në ndërkohë kanë marrë një telefonatë nga djali i axhës së tyre për të shkuar në shtëpi.

“Diku në orët e pasdites, duke shkuar në shtëpi, e kam pa një njeri me mustaqe në rrugë, na ka dalë përpara dhe ka ardhur te dritarja e veturës, ma ka drejtuar revolen tek koka dhe unë me të parë, i kam ngritur duart përmbi kokë për ta mbrojtur kokën. Kam qenë në ulësen e bashkudhëtarit, në veturën e tretë, ai ka gjuajtur në drejtim timin. Fati im është se plumbi është ndalur në dorën time të djathtë dhe nuk më ka rrokë në kokë”, u shpreh ai, raporton Koha.net.

I plagosur ka mbetur edhe i pandehuri tjetër Lirim Topalli në dorën e djathtë, i cili, në dëshminë e tij, ka dhënë versionin e njëjtë me të pandehurit tjerë me mbiemrin Topalli.

Gjykata dyshon se të pandehurit mund të përsërisin veprën prandaj ka vendosur që t’i mbajë në paraburgim prej 1 muaji.