Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot realizoi takim me bursistët e zgjedhur parlamentarë në Bundestagun gjerman për vitin 2018, ato janë: Vera Jovçeska dhe Eva Jovanova.

Siç thuhet në kumtesë, në takim ishte e pranishme Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Katrin Frinsfelld, atashe e kulturës dhe Marija Micevska Kokallanova, koordinatore për programin IPS në Ambasadën e Republikës Federale Gjermane në Republikën e Maqedonisë.

Duke i uruar bursistët e përzgjedhur me dëshirë për stazh të mëtutjeshëm të suksesshëm te deputetët gjerman në Bundestag, Xhaferi i konstatoi përvojat pozitive nga bërja e deritanishme e stazhit të bursistëve të IPS në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, drejtpërdrejt para shkuarjes së tyre në Gjermani.

Gjithashtu, ai e shfrytëzoi mundësinë të falënderohet për bashkëpunimin e shkëlqyer me Ambasadorin aktual dhe me të gjithë ambasadorët e deritanishëm të Republikës Federale Gjermane dhe për përkrahjen e aspiratave të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Frinsfeld shprehu kënaqësi nga realizimi i takimit të sotëm dhe theksoi se këmbimi i njerëzve të ri nga vendet e ndryshme dhe rajonet në botë të interesuar për politikë, është me rëndësi të jashtëzakonshme për Gjermaninë dhe në këtë kontekst, se veçanërisht çmohen kualifikimet e larta të të rinjve që aplikojnë për këtë bursë nga Republika e Maqedonisë.

Të pranishmit u pajtuan se bërja e stazhit e bursistëve në Kuvend është mundësi e shkëlqyer që ato për së afërmi të njoftohen me funksionimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe më vonë të bëjnë krahasim me funksionimin në Bundestag, por edhe se pas përfundimit të stazhit dhe kthimit në Republikën e Maqedonisë, do i ndajnë përvojat e përfituara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, thuhet në kumtesë.

IPS është aktivitet tradicional i Bundestagut gjerman, që së bashku me “Universitetin Teknik”, “Universitetin e Lirë” dhe “Universitetin Humbolt” nga Berlini, u jep mundësi njerëzve të ri me arsim universitar të përfunduar nga vendet e Evropës Juglindore të njoftohen me sistemin parlamentar në Gjermani.

Në Republikën e Maqedonisë, projekti realizohet prej vitit 2001, a përfundimisht me programin për vitin 2018, deri tani, prej Republikës së Maqedonisë kanë marrë pjesë 50 bursistë. Bursistët punojnë me deputetë të Bundestagut gjerman, të cilët kanë interes të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor, a veçanërisht me Republikën e Maqedonisë. Programi për njohjen me punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë i cili filloi të zbatohet prej vitit 2009, është Programi i dhjetë për njohjen e këtyre bursistëve me punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.