Studentët e vitit të katërt të Fakultetit të Pedagogjisë të cilët të hënën duhet t’i nënshtrohen provimit të diplomimit në moment të fundit nga shërbimi studentor informohen se duhet t’i nënshtrohen sërish provimit në lëndën “Psikologjia humane mes dy gjinive”.
Studentët të revoltuar thonë se këtë provim  ata e kanë kaluar me sukses dhe për të janë notuar në vitin 2014. Ata kanë  pasur mundësi të bëjnë përzgjedhje mes profesorit, Lulzim Murtezanit dhe Zoran Mihajllovit, dhe kanë përzgjedhur që lëndën ta ndjekin në gjuhën amtare tek profesori Murtezani.
Sipas studentëve, është absurd kjo që po ndodh, sepse ata e kanë kaluar me sukses provimin dhe nuk do të pranojnë që sërish të dëgjojnë ligjëratat në këtë lëndë dhe t’u shtyhet diplomimi.
“Ligjëratat janë realizuar, provimi është realizuar, notat na figurojnë në indeks, tani na thanë që është dashur që profesori Zorani t’i mbajë ligjëratat, nuk po e marrin parasysh se ne kemi marrë dituri, lënda është realizuar. Na thanë se duhet patjetër të mbahet edhe një semestër dhe t’i nënshtrohemi provimit, sepse ne po na shtyhet diplomimi edhe për plus një semestër, ndërsa ne duhet të hënën të diplomojmë në orën 12”,- u shpreh studentja, Jehona Limani.
“Unë jam e diplomuar, jam kolege me grupin. Tani nuk e di se çfarë do të ndodh me mua për shkak se problemi është i njëjtë, përderisa nota figuron në indeks, përderisa nuk është paraqitur problem tek referentët dhe na është dhënë e drejta për të mbrojtur temën e diplomës, si ka mundësi që tani të paraqiten probleme, pse këto nuk i kanë shqyrtuar më herët”,- tha e diplomuara, Shyrete Hasani.
Akuzave të tilla u përgjigjet dekani i Fakultetit të Pedagogjisë, i cili për TVM2 thotë se përgjegjësia për këtë problem qëndron tek shërbimet studentore, ky është një problem teknik i cili të hënën në mbledhje të jashtëzakonshme do të shqyrtohet për t’u zgjidhur.
“Problemi qëndron te shërbimet studentore. Është problem nga sfera teknike, të cilin do ta zgjedhim,do të mundohemi ta zgjidhim, të mos jetë në dëm të studentëve”,- theksoi dekani i Fakultetit të Pedagogjisë, Emil Sulejmani.
Ndërkohë, studentët thonë se do të presin vendimin e dekanatit të hënën dhe nëse vendoset në dëm të tyre, ata do ta informojnë MASh-in dhe të gjitha institucionet kompetente, siç thonë, për ata shkeljen ligjore që po u bëhet.