Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka konstatuar një sërë shkeljesh ligjore nga ana e Qendrës për Punë Sociale “25 maji” në Shkup lidhur me rastin e 13 vjeçares për të cilën ditë më parë u raportua se ishte dhunuar dhe keqpërdorur. Ndërkohë kjo ministri po përgatit padi penale dhe kundërvajtëse ndaj disa personave përgjegjës. Një gjë e tillë vjen pas inspektimit të djeshëm që dikasteri i Punës Sociale bëri në këtë Qendër strehimi.

Inspektimi social konstatoi disa shkelje të Ligjit për mbrojtje sociale, Ligjit për familje, nën-ligjeve dhe akteve të tjera që kanë të bëjnë me procedurën për marrjen e personave nën kujdestari prindërore, strehimin e fëmijëve në Qendër dhe strehimin e fëmijëve pa përkujdes prindëror në familje -njoftojnë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Nga Qeveria thonë se institucionet kompetente vazhdojnë hetimet dhe procedurat për zbardhjen e tërësishme të rastit.

Pos locimit të përgjegjësisë në Qendrën për punë sociale, ministria përgjegjëse në mënyrë paralele hulumton punën e Qendrës për strehimin e fëmijëve me probleme edukative – sociale ku për momentin po bëhet mbikëqyrje inspektoriale, detajet e kësaj mbikëqyrjeje po ashtu do të bëhen të njohura për opinionin – deklaroi Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Ndërkohë nga opozitarja VMRO-DPMNE kërkojnë dorëheqjen e ministres për Punë dhe Politikë Sociale Milla Carovska duke thënë se dikasteri që udhëheq ajo ka treguar mungesë përgjegjësie lidhur me rastin.

Mila Carovska duhet menjëherë të jep dorëheqje të pa revokueshme për arsye morale dhe politike. Bëhet fjalë për shëndet mental dhe psikik të fëmijëve të Qendrës e cila ka marrë përsipër të kujdeset për to. Kjo tregon se sistemi për mbrojtje sociale në vend është rezultat i papërgjegjësisë, pakujdesisë dhe pa punësisë së kuadrit të LSDM-së – u shpreh Jovana Mirçeska, VRMO-DPMNE.

Përmes një reagimi me shkrim nga LSDM janë kundërpërgjigjur se ky rast është rezultat i politikave të më hershme që VMRO-ja ka zbatuar nëpër institucionet shtetërore.

Për fat të keq, ky rast është pasojë e drejtpërdrejtë e partizimit dhe shkatërrimit prej një dekade të institucioneve nga ana e VMRO-DPMNE-së kur institucionet shtetërore në vend të njerëzve profesional, kanë punësuar kuadro të paaftë -thuhet në reagimin e LSDM-së.

Skandali me të miturën 13 vjecare e cila për shkak të shtatzënisë iu nënshtrua abortit, u zbulua nga Organizata joqeveritare Evropiane për të drejtat e Romëve. Ministria e Punëve të Brendshme si dhe Prokuroria Publike kanë qenë të njoftuara 9 herë me radhë nga ana e punonjësve të kësaj strehimoreje për dyshime lidhur me të miturën rome. Nga policia thanë se për të gjitha rastet kanë ndërmarrë veprime në përputhje me kompetencat e tyre dhe se për të gjithë rastet e kanë njoftuar Prokurorinë Publike. Kjo e fundit gjatë ditës së djeshme komunikoi se po punojnë në zbardhjen e rastit./alsat-m